E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR i lë 10 ditë afat Berishës

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Besoj se kjo çështje do të sqarohet në ditët që vijnë, domethënë para mbylljes së kësaj legjislature. Kemi patur kontakte me doktor Berishën dhe na ka pohuar, na ka thënë diçka të tillë. PR ka pritur mjaft gjatë por mund të presë dhe 10 ditë”

Republikanët i rikthehen kërkesës së tyre për të marrë një post në Qeveri. Ata shtojnë presionet madje caktojnë dhe afatet para së cilave kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha duhet të caktojë postin ministror për PR-në. Kryetari i Nderit i Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo pohoi dje se është mirë që kjo çëshje të mbyllet brenda këtij sesioni duke i caktuar Berishës vetëm 10 ditë afat për të vendosur. Por ai pohon më tej se gjatë kësaj kohe është biseduar vazhdimisht me kreun e Qeverisë dhe shtyrja mund të ketë ndodhur dhe për shkak të ndonjë ndryshimi tjetër që do të bëjë Berisha. Godo edhe pse nuk i vë gishtin asnjërës prej ministrive thekson se PR do një ministri me rëndësi. Por ai shtoi se kjo mbetet në dorën e Bërishës.
Presioni
“Besoj se kjo çështje do të sqarohet në ditët që vijnë, domethënë para mbylljes së kësaj legjislature. Kemi patur kontakte me doktor Berishën dhe na ka pohuar, na ka thënë diçka të tillë. PR ka pritur mjaft gjatë por mund të presë dhe 10 ditë”, - tha dje Godo. Por ai shtoi se ndoshta kjo vonesë mund të lidhet edhe me ndonjë ndryshim tjetër që Kryeministri eventualisht do të bëjë me Qeveri. Por Godo thekson se do të ishte vërtet e papranueshmë që vendimi për përfshirjen e republikanëve në Ekzekutiv të shtyhet për sesionin tjetër pra për në vjeshtë. Ai madje theksoi se duan një ministri të rëndësishme. “Duam një ministri që do të kishte peshë dhe që të përfaqësojë elektoratin tonë. Ne nuk ngremë dot gishtin mbi ndonjë ministri sepse ky është atribut i Kryeministrit”, - pohoi ai. Deklarata e Godos vjen dy muaj pasi këtë kërkesë e artikuloi dhe vetë kreu i PR-së, Fatmir Mediu i larguar nga Ekzekutivi pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec në 15 mars. Një muaj e gjysëm pasi kishte dhënë dorëheqjen, Mediu pohoi se ka ardhur koha që tashmë Partia Republikane të përfaqësohet në Ekzekutiv. Ai u shpreh gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PR-së se duhet të fillojnë negociatat me kryeministrin Sali Berisha sepse partia që ai kryeson duhet të jetë në qeveri sepse i takon të jetë pjesë e Ekzektivit dhe jo se e merr këtë si një dhuratë nga Partia Demokratike. “Të pranojmë përgjegjësitë politike edhe kur nuk jemi përgjegjës të drejtpërdrejtë në raport me ligjin. Ne duhet të jemi në Qeveri dhe të jemi në vendin që na takon dhe pa e konceptuar si dhuratë dhe me pozicionin që na takon dhe këtë duhet t ia bëjmë të qartë PD-së përndryshe jeta politike e PR-së nuk do të kishte kuptim”, -është shprehur Mediu.
Ai sqaroi se ka një një marrëveshje PD-PR për të bashkëpunuar dhe për të vazhduar bashkëqeverisjen. Madje sipas tij pikërisht në bazën e kësaj marrëveshje këto dy parti duhet të jenë së bashku në zgjedhjet e ardhshme që do të zhvillohen në vitin 2009. Kryerepublikani pohoi më tej se prej kohësh ai po kërkon një riorganizim të së djathtës për një funksionim më të mirë të saj dhe përsëritjen e fitores së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Ky lajm është publikuar: 07/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›