E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimi rural, gruaja rol të pazëvendësueshëm



Rritja e rolit të gruas në zhvillimin e ekonomive bujqësore si dhe shkëmbimi i përvojës mbi politikat rurale, ishte objekt i konferencës ndërkombëtare të organizuar nga FAO nga data 23-25 tetor, në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë, me pjesëmarrjen e mbi 40 ekspertëve të huaj nga vendet e Evropës dhe Azisë. Në konferencë, punimet e së cilës vazhduan për tri ditë rresht, morën pjesë deputetë, përfaqësues diplomatikë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të BE-së në Tiranë, të USAID-it, UNDP-së, ndërkohë që këtë aktivitet e përshëndeti edhe Zonja e Parë, Teuta Topi. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, në fjalën e tij evidentoi faktin se nga zonat rurale burojnë të ardhurat kryesore të bujqësisë së vendit, e cila siguron 80 për qind të ushqimeve që konsumon vendi. “Rritja e investimeve në sektorë të ndryshëm socialë dhe ekonomikë në zonat rurale të vendit po e rrit vlerësimin për përmirësimin e jetesës së fermerëve dhe prodhimin bujqësor në këto zona”, - tha ministri Gjana. Më tej, kreu i bujqësisë shqiptare foli për politikat në drejtim të bujqësisë, për ta bërë atë më konkurruese jo vetëm për tregun vendas, por dhe më gjerë.

Sipas organizatorëve, konferenca kishte për objekt kryesor evidentimin e rolit të gruas në zhvillimin rural dhe vuri theksin në krijimin e rrjeteve të gjera institucionale që duhet të ndërgjegjësojnë opinionin mbi forcën e gruas në zonat rurale. Ndër të tjera, konferenca nënvizoi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit mes qeverisë dhe organizatave joqeveritare për rolin e rëndësishëm të gruas në jetën e zonave rurale. Konferenca e 21-të e FAO-s për “Zhvillimin rural dhe rolin e gruas në këtë proces”, në historikun e vet është një forum unik në Evropë dhe FAO është i vetmi organizëm që nxit dhe ushqen dialogun në këtë fushë. Grupi i punës për rolin dhe kontributin e gruas në zhvillimin rural, takohet një herë në 2 vjet dhe takimet në nivel ekspertësh organizohen herë pas here. Që nga viti 1965, grupi i punës për gruan ka organizuar shtatë seksione, katërmbëdhjetë shkolla verore dhe 6 takime ekspertësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›