E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta Bashkim Gazidede,sot homazhe te Parlamenti



Vdes nga një sëmundje e rëndë një nga personazhet e rëndësishme të tranzicionit shqiptar

Është ndarë nga jeta pasditen e djeshme, Bashkim Gazidede, nëndrejtor i zyrës së regjistrimit të pasurive, një ndër emrat më publikë dhe më të përfolur përgjatë viteve të tranzicionit për shkak të detyrës së tij të mëparshme si kryetar i SHIK-ut (Shërbimi Informativ Kombëtar) deri në vitin 1997.

Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, e cila, pavarësisht ndërhyrjeve dhe përkujdesjeve të mjekëve, por edhe të qeverisë për rikthimin e shëndetit të tij, rëndoi edhe më tej organizmin e sëmurë të Gazidedes. Sëmundja fillimisht në mushkëri e më pas edhe në pjesë të tjera të trupit, përparoi ditë pas dite, por pa arritur ta mbante të lidhur Gazideden, pasi deri ditët e fundit ka vazhduar punën e tij në Hipotekë e ndërkohë ka mbajtur lidhjet me miqtë e tij të shumtë duke ruajtur kthjelltësinë dhe përkushtimin.

Qeveria shqiptare financoi kurimin e tij në Itali, gjë që i shtoi ditë jetës së tij, por nuk arriti të ndalte sëmundjen e pashërueshme.

Bashkim Gazidede u lind në Peshkopi, qytet prej të cilit u largua pasi filloi shkollën e lartë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega matematikë. Ai mbaroi studimet shkëlqyeshëm dhe filloi si pedagog pranë këtij fakulteti deri më 1992, kur u zgjodh deputet i Dibrës. Më pas mori detyrën e kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, detyrë që mbajti deri në verën e vitit 1997, kur edhe u largua nga Shqipëria për t’u kthyer në vitin 2005, pas ardhjes në pushtet të PD-së.

Ai vdiq dje, në një moshë ende larg pleqërisë, duke lënë në pikëllim të thellë fëmijët e tij, gruan, familjarë të tjerë, të afërm e miq të shumtë në të gjithë vendin.

Ai përballoi më forcë për vite të tëra akuza mediatike e politike të cilat edhe mund ta kenë lodhur, por nuk e kanë ndalur për të afirmuar ato veti të tij, dashurinë për punën, sinqeritetin me shtetin, përkushtimin ndaj vendit, veti sot kaq të domosdoshme e të kërkuara te administratorët e këtij vendi.

Ai u përball me akuzat publikisht, mediatikisht e politikisht duke mos i lënë hije vetes dhe duke mbrojtur vlerat e institucioneve ku ai punoi për shumë vite. Gazidede drejtoi shërbimin sekret shqiptar në një periudhë kur ai duhej reformuar rrënjësisht e duhej pastruar e ndarë përfundimisht nga Sigurimi i Shtetit, gjë që e arriti cilësisht. Por kjo kishte edhe koston e vet, një luftë të paprinciptë ndaj tij prej segmenteve të tilla edhe në media, edhe në politikë, edhe në biznes.

Sado që ndaj figurës së Gazidedes ka përcaktime të ndryshme, një gjë në tiparet e tij do të mbetet e paprekur dhe e pacenuar: dashuria për atdheun, në mënyrën e tij, të kritikuar nga një pjesë e të mbështetur nga një tjetër.

Ndërsa, sot, ai përcillet për në banesën e fundit, miqtë dhe ata që e njohin, do të mbajnë me vete ato cilësi të larta të zyrtarit dhe njeriut që e bëri Gazideden të kalonte shumë vështirësi dhe situata të ndërlikuara, por edhe në ditët e tij të fundit të ishte ballëhapur përpara të gjithëve.

Sot, homazhe për Gazideden

Sot në mesditë ne selinë e Parlamentit mbahen homazhe për nder të ish-deputetit Bashkim Gazidede. Homazhet nisin në orën 12 dhe vazhdojnë deri në orën 13, në ambientet e selisë së sallave plenare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›