AMF: Javën e ardhshme, testi për vlerësuesit e dëmeve në sigurime
Testi për vlerësuesit e dëmeve në sigurime do të nisë javën e ardhshme dhe do të drejtohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Personat fizikë, drejtuesit si dhe punonjësit e angazhuar me vlerësimin e dëmeve të personit juridik që kërkojnë të pajisen me licencë si vlerësues të dëmeve, do t'i nënshtrohen testimit për njohuritë në fushën e sigurimeve. Testimit do t’i nënshtrohen dhe subjektet, të cilat kërkojnë të rinovojnë licencën si vlerësues të dëmeve në sigurime. Burime zyrtare të AMF-së bëjnë me dije se duke iu referuar ligjit "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare", si dhe atij "Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime", pranë ambienteve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare do të zhvillohet testimi për vlerësuesit e dëmeve në sigurime. Në testim pritet të marrin pjesë 9 aplikues, ndërsa përgjigjet e testimit do të publikohen në faqen zyrtare të AMF-së, brenda afatit të përcaktuar në rregullore. Burimet thanë se testi do të përbëhet nga tre module: ligjor dhe etik; për dëmet materiale, si dhe moduli për dëmet shëndetësore.