E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillohen aktivitet të ndryshme sensibilizuese në ditën botërore të hipertensionit

"Informohu, jeto më gjatë", është slogani i Ditës Ndërkombëtare të Hipertensionit
"Informohu, jeto më gjatë" është slogani i 17 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Hipertensionit, një ditë që kremtohet si e tillë nga viti 2005 me iniciativë të Ligës Botërore të Hipertensionit. Presioni i lartë arterial është një epidemi globale. Ndërsa, ndërgjegjësimi i publikut mbi hipertensionin dhe inkurajimi i popullatës për parandalimin dhe kontrollin e kësaj epidemie moderne është qëllimi kryesor i organizimit të Ditës Botërore të Hipertensionit në të gjithë botën. Hipertensioni prek mbi 1,5 miliardë njerëz në të gjithë botën. Ndërsa, kripa dhe presioni i lartë arterial konsiderohen dy vrasës të heshtur. Përdorimi me tepricë i kripës rrit presionin arterial, i cili është faktori nr. 1 i riskut për sëmundjen kardiovaskulare, që është shkaktari i parë i vdekjes në botë. Përgjysmimi i sasisë ditore të kripës që marrim mund të shpëtojë rreth 2.5 milionë njerëz që vdesin çdo vit nga insulti kardiak dhe insuficenca kardiake në të gjithë botën. 
Rreth 700 mijë njerëz në vendin tonë vuajnë nga probleme të hipertensionit, duke e renditur këtë sëmundje ndër më kryesoret. Kjo shifër kap mbi 25-30 % të popullsisë adulte mbi 18 vjeç. Për parandalimin e hipertensionit  mjekët rekomandojnë jetesë të shëndetëshme, mospërdorimin e ushqimeve me yndyrna, bërjen e një jete sa më aktive, uljen e peshës së tepërt dhe në rastet e nevojshme marrjen e medikamenteve që duhen përdorur në mënyrë të rregullt. Hipertensioni arterial konsiderohet vrasësi i parë, krahasuar me të gjitha sëmundjet e tjera dhe numri më i madh i personave që vdesin kanë në më të shumtën e rasteve si shkak hipertensionin arterial. Duke qenë se mjekimi i tij është detyrë e mjekut të përgjithshëm, kualifikimi i tyre është problem i përhershëm, konsiderojnë mjekët specialistë.           
Dita Ndërkombëtare e Hipertensionit organizohet prej tre vitesh nga Shoqata Shqiptare e Hipertensionit e partnerë të tjerë, të mbështetur vazhdimisht nga kompania farmaceutike Novartis. Një nga partnerët kryesorë, në mbështetje të kësaj organizate, këtë vit është Ministria e Shëndetësisë. Gjatë kësaj dite, do të funksionojnë 9 qendra të lëvizshme, në të cilat studentë të mjekësisë dhe mjekë nga Shoqata Shqiptare e Hipertensionit do t’u shpërndajnë qytetareve fletëpalosje me informacion senzibilizues si dhe do te ftohen të masin tensionin, peshën dhe BMI.  Me të dhënat e mbledhura nga matjet, do të plotësohen pyetësorët përkatës që do të përpunohen më pas nga një grup specialistësh. Konkluzionet përkatëse do të bëhen me pas të njohura për palët e interesuara. Me nismën e Ligës Botërore të Hipertensionit, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Shoqata Shqiptare e Hipertensionit dhe mbështetur nga Novartis, në qytete të ndryshme të vendit do të organizohen aktivitete të ndryshme.  Qendrat do të ngrihen në Tiranë (Parku Rinia, Liqeni artificial, Qendra Tregtare ETC, si dhe Qendra Tregtare Univers), në Durrës (në zonat e Vollgës dhe Plazh), në Fier (në zonën tek Lulishtja dhe Turizmi), si dhe në Shkodër (në zonën tek Piaca).
Çfarë është hipertensioni
Tensioni i lartë ose sistolik është presioni që krijohet në arterie nga forca e pompës së zemrës, ndërsa tensioni i vogël ose diastolik (që gabimisht nga njerëzit emërtohet si tension i zemrës), është rezistenca e arteries gjatë furnizimit të zemrës me gjak. Presioni i gjakut ndryshon çdo minutë nga pozicioni i trupit, aktiviteti fizik, gjatë kohës kur flemë, ose kur jemi zgjuar. Hipertension quhen vlerat e tensionit që krijohen kur presioni i gjakut në arterie (enë me gjak të pastër) është mbi normën e lejuar. Në 95% të rasteve nuk dihen shkaqet dhe flitet vetëm për rreziqet e hipertensionit. Të sëmurët në përgjithësi janë të grupmoshës së mesme, me trashëgimi gjenetike, me mbipeshë, diabet, që kanë stres fizik, ose psikik të përditshëm, që janë përdorues të duhanit, konsumues të tepërt të kripës dhe alkoolit, që bëjnë një jetë sedentare (pa ushtrime fizike). Në shumicën e rasteve, nuk ka shenja shqetësuese për vite me radhë të hipertensionit, ose ato janë mjaft të pakta dhe të paqarta. Rritja e tensionit bëhet gradualisht dhe i lë kohë trupit të njeriut të adaptohet me këtë gjendje. Shenjat dhe shqetësimet mund të jenë dhimbje koke, apo qafe, ndjenjë djegieje, skuqjeje dhe temperaturë në fytyrë, shtypje, apo dhimbje gjoksi, nevojë dhe pamundësi për t’u mbushur më frymë, etj

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›