E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Këshillit të Ministrave

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha i kushtoi një vëmendje të veçantë paketës së vendimeve që synojnë krijimin e lehtësirave për biznesin në tërësi.

Kryeministri informoi se qeveria do të shqyrtojë një paketë prej disa projektligjesh të reformës rregullatore të propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të cilat përmbajnë ndryshime, shtesa dhe amendime me qëllim harmonizimin e të gjitha kërkesave të ligjit për ngritjen e qendrës kombëtare të regjistrimit të biznesit, i cili është dorëzuar ne kuvend, por kërkon përshtatjet e nevojshme sipas të gjitha standardeve.

Ndërhyrjet në këto projektligje synojnë thjeshtimin e procedurave të privatizimit dhe largimin nga praktikat zvarritëse, burokratike, të ndjekura deri tani, duke rritur në mënyrë të ndjeshme transparencën e këtij procesi.

Duke theksuar se procesi i privatizimit është i lidhur pazgjidhshmërisht me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, Kryeministri nënvizoi se masat e ndërmarra në këtë drejtim kanë si qëllim kryesor, përmirësimin progresiv të klimës së biznesit të vend dhe përshpejtimin e procesit të legalizimit në tërësi.

Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh në fjalën e tij:

"Po vij nga një takim me biznesmenë dhe sërish kryefjalë e rendit të ditës së kësaj mbledhje është një paketë ligjore e reformës rregullatore, një paketë prej 9 projektligjesh me ndryshime, shtesa, amendime me qëllim harmonizimin e të gjitha kërkesave të ligjit për ngritjen e Qendrës Kombëtare të regjistrimit të biznesit, ligj i cili është dorëzuar ne Kuvend, por kërkon përshtatjen, pasi siç dihet ai është një ligj i moshës dixhitale edhe ligje të tjera duhet ta ndjekin pas.

Këto ligje i ka sjellë Ministria e Ekonomisë sepse është ky, institucioni përgjegjës për zbatimin e projektit për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në kuadrin e Sfidës së Mijëvjeçarit. Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë është dhe institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të reformës rregullatore dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Këto projektligje janë ndërhyrje që bëhen në thjeshtimin e procedurave të privatizimit. Praktika e deritanishme tregon se deri tani ato kanë qenë procedura të mundimshme, zvarritëse dhe burokratike, për shkak të një morie të pafundme kërkesash që duhet të plotësoheshin, mirëpo privatizimi pavarësisht se është pazgjidhshmërisht i lidhur me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës sepse faktikisht shumica dërrmuese e objekteve të cilat janë për tu privatizuar janë të vendosura mbi troje pronarësh, ose në raste të caktuara ndërtesa të tyre, të cilat në përputhje me ligjin duhet të dalin në privatizim me të drejtën e parablerjes së pronarit.

Janë bërë përmirësime të ndjeshme, është hequr i gjithë dokumentacioni i panevojshëm që pengonte, është menduar që hallkat të thjeshtohen, duke bërë që dokumentacioni i privatizimit i përgatitur nga shoqëria apo ndërmarrja të përcillet direkt në ministrinë e ekonomisë dhe kjo e fundit pasi përfundon dosjen e përcjell në Ministrinë e Financave.

Është rregulluar edhe mënyra e njoftimit për privatizimin në rastet e ankandit, duke bërë të mundur që përveç publikimit të buletinit përkatës të bëhet afishimi dhe në mjediset ku do të bëhet ankandi, në objektin që do të privatizohet, në prefekturë , duke rritur maksimalisht transparencën e këtij procesi.

Moment tjetër është rregullimi ligjor që kërkon procedura e lidhjes së kontratave duke eliminuar problematikën e shfaqur në praktikë në procesin e mbylljes së privatizimit. Zgjidhja që jepet në këtë rast, bëhet nga ministria e financave dhe degët e shoqërive në prefekturë sipas legjislacionit në fuqi. Një problem tjetër është edhe rregullimi i procedurës kur kemi të bëjmë me privatizimin e truallit të objekteve, duke bërë të mundur që këto objekte të paguajnë qiranë e truallit deri në momentin e pagesës së vlerës së plotë të truallit gjë që më parë nuk bëhej.

Po në këto vendime dhe ligje të sjella nga ministria e ekonomisë, caktohet ministria e financave që të kryesojë verifikimin e sipërfaqeve të truallit të objekteve që janë privatizuar gjë që rregullon procedurat e funksionimit të këtij komisioni. Gjithashtu në këto vendime janë bërë rregullime edhe mbi shpërndarjen e të ardhurave që realizohen nga privatizimi, duke parashikuar që ministria e ekonomisë të disponojë një fond të mjaftueshëm për të përmbushur në kohë sa më të përshtatshme, të gjitha detyrimet për vlerësimin , për përgatitjen e dosjeve , pra këto ndërhyrje që të gjitha lidhur me procesin e privatizimit , janë pas mbledhjes që ne bëmë para tre javësh, kur ne morëm në shqyrtim problemin e kthimit dhe të kompensimit të pronave dhe të privatizimit janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Është bërë një punë shumë e mirë , e cila do të shpejtojë këtë proces që deri tani nuk ka ritmet e duhura.

Paketa që solli ministria e ekonomisë, ka një qëllim kryesor, përmirësimin progresiv të klimës së biznesit të vend dhe përshpejtimin e procesit të legalizimit"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›