Kryeministri takohet me përfaqësues të Shoqatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri
Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në një takim të zgjeruar me Shoqatën e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, zhvilluar në kuadër të një komunikimi të vazhdueshëm mes qeverisë dhe biznesit. Takime të tilla do të jenë një praktikë pune e qeverisë me Dhomat e Industrisë dhe Tregtisë, për të diskutuar rreth shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura nga biznesi, si dhe për gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit, në funksion të lehtësimit të veprimtarive të tyre.
Kryeministri Berisha theksoi se midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit nuk ka dhe nuk do të pranojë të ketë tabu. Ai siguroi përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë se zëri i tyre do të dëgjohet për të gjitha problemet, vendimet, ligjet që ndërmerr qeveria për lehtësimin e klimës ndaj biznesit.
Në fjalën e tij, Kryeministri bëri këto komente:
Së pari, dëshiroj t'ju përshëndes përzemërsisht, t'ju falënderoj me mirënjohje për kontributin tuaj jashtëzakonisht të çmuar që keni dhënë dhe jepni në zhvillimin e vendit, sikundër, dua t'ju siguroj se kjo qeveri ka një qëllim më madhor; Shqipëria vendi më tërheqës për investimet. Ju jeni plotësisht të vetëdijshëm se sa i vështirë është ky objektiv, por sa jetik është për vendin. Në këtë kontekst, ne ndërmorëm që në javën e parë të qeverisjes hapat e parë dhe e nisëm me lehtësimin e barrës fiskale. E nisëm me biznesin duke përgjysmuar taksën për të, duke vijuar me kontributet e sigurimeve shoqërore, duke i ulur ato me 30 për qind, vazhduam me tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale, deri tek vendimi fundit, i cili ul tatim fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat personale në 10 përqind. Pra, një ulje nga 25 përqind në 10 përqind është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Sërish dua t'ju informoj se është në shqyrtim edhe çështja e kontributit tëi sigurimeve shoqërore dhe ne nuk do të ndalemi pa marrë të gjitha masat, në mënyrë që t'ju krijojmë ju jo vetëm barrën fiskale më të ulët që mund të ekzistojë në ndonjë vend, por t'ju çlirojmë edhe nga barra burokratike që ndonjëherë është ndoshta edhe më e mundimshme se barra fiskale. Ka një progres thelbësor në këtë drejtim. Kemi 3 projekte madhore me Pragun e Mijëvjeçarit. Projekti për prokurimin elektronik, taksa elektronike dhe regjistri elektronik i biznesit, janë tre procese të cilat ju lehtësojnë ju dhe që janë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Prioritete mbeten dhe transformimi i marrëdhënieve të autoritetit tatimor me ju, mbrojtja e juaj nga burokracia e mundimshme e këtij autoriteti. Ne do të investojmë në modernizimin e këtij Autoritetit, në mënyrë që ju mundësisht të keni të bëni sa më pak me të. Parimi i vetëdeklarimit, si parim lider, duhet të shprehë të gjithë bilancet tuaja. Në këtë kontekst, dixjitalizimi i këtij procesi është një ndihmë dhe mundësi reale.
Një pjesë nga ju, jeni eksportues. Dua t'ju informoj se shumë shpejt, brenda këtij muaji, ne krijojmë Agjencinë, me një shumë prej 10 milionë euro, e cila do të jetë kredi me garanci sovrane nga qeveria. Po krijohet një komision me ju dhe me zyrtarë, i cili do të shqyrtojë të gjitha modalitetet e kësaj kredie, sepse kjo është një kërkesë konstante e eksportuesve. Duhet të shqyrtojmë edhe njëherë afatin 6-mujor për TVSH-në për makineritë, sepse është një afat i shkurtër, duke parë hapësirën për ta shtyrë, në qoftë se është e mundur, për një 1 vit ose edhe më shumë. Me Task Force-n e rregullimit të tregut ne po shqyrtojmë çdo licencë, çdo procedurë, në mënyrë që t'ju lehtësojmë punën. Por këtu, kontributin më kryesor e keni dhe mund ta jepni vetëm ju. Ndaj, unë e kuptoj se misioni juaj është avokatia e interesave të atyre që ju përfaqësoni.
Unë ju garantoj se zëri juaj do të dëgjohet për të gjitha problemet, vendimet, ligjet që ndërmerr qeveria. Sikundër, meqenëse një standard ndërkombëtar, pothuajse universal, në procesin e detyrimit tatimor, i cili ka si qëllim garantimin tuaj, garantimin e barazisë para ligjit për ju, mori konotacione të tilla, unë ju ftoj të hartoni të gjitha amendamentet, në mënyrë që qeveria, por edhe taksambledhësit, të mbajnë përgjegjësi të njëllojta dhe ndoshta edhe më të mëdha, në rast abuzimi ndaj bizneseve tuaja. Duhet të keni të qartë një gjë, një qeveri e cila merr përsipër të ulë me 150 për qind taksat, nuk mund të ketë synim tjetër përveç lehtësimit të barrës suaj. Kjo është një zgjedhje e vullnetshme, ky është një program politik, ky është një princip. Ne besojmë në taksat e ulëta, ne besojmë se paratë në kontot tuaja janë më të vlefshme për shoqërinë se në buxhetin e shtetit. Ne besojmë se ju jeni, në distancë, investitorët më të mirë sesa institucionet publike. Ne besojmë se shoqëria nuk shkon drejt begatisë, në asnjë lloj mënyre, duke rrënuar të pasurit, por e kundërta, pasurimi i tyre jep mundësi pasurimit të shoqërisë. Dogma e Adam Smithit, është e faktuar në mënyrat më të përsëritura. Ne jemi i larguar taksave progresive. Por nga ana tjetër, kapitalizmi, si rend shoqëror, mbijetoi dhe mbijeton pikërisht për frymën, shpirtin e tij social. Kjo është e vërteta. Është fryma sociale që e bën këtë rend popullor. Ky rend reformohet, sepse pa reforma çdo gjë vdes, por ky rend mbijeton, zhvillohet, konsolidohet, vetëm e vetëm se ka një frymë sociale konstante.
Meqenëse midis nesh nuk mund të ketë tabu dhe unë nuk pranoj të ketë tabu, unë dua të sjell në vëmendje një çështje kryesore. Le t'u kthehemi taksave, nga 175 miliardë lekë që ne arkëtojmë në arkën e shtetit nga doganat dhe tatimet, 85 miliardë i paguajnë qytetarët e thjeshtë, sepse ne kemi një taksë të cilën e paguan njësoj si Presidenti ashtu edhe fshesaxhiu, si Kryeministri ashtu edhe bujku, në skajin më të largët të vendit dhe kjo është TVSH-ja. Kjo është e vërteta. Këtu ne jemi të barabartë midis të barabartëve. Ne u shkëputëm nga taksa progresive dhe vendosëm sistemin e taksës së sheshtë, sërish bëhemi të barabartë, por dallimi është substancial. Dallimi është ky, taksa e sheshtë kërkon që të jemi të vërtetë, të dalim nga informaliteti.
Unë mund të jap shumë shembuj, por po i referohem njërit; në piramidën e rrogave të këtij shteti, sektori publik dhe privat së bashku, kanë gjithsej 868 rrogëtarë me rrogë 1 milionë lekë, nga të cilët, ju siguroj se të pakën 600 janë në administratën shtetërore në të gjitha nivelet. Mirëpo, kalimi në taksën e sheshtë përbën një problem jo vetëm monetar, por para së gjithash problem moral shumë të madh, sepse një nëpunësi që e ka rrogën e ulët, sado që t'i rritet apo ulet rroga 5 apo 10 për qind, atij i merret 10 përqindëshi, ndërsa një njeriu që merr dhjetëfishin e kësaj rroge, në proporcion i merret 2-4-5 herë më pak se atij.
Unë besoj se bashkërisht duhet të vendosim të dalim nga kjo situatë, sepse në mënyrë absolute, informaliteti është armiku më i egër i juaji. Ose ne duhet të vendosim ligjin si garanci kryesore për ju, ose ne mbetemi një vend informal, me një ekonomi e cila nuk mund të përballet kurrë me dinjitet dhe siguri me sfidat e integrimit dhe të globalizmit.
Unë e kuptoj se paraja është e dhimbshme, por shoqëritë e qytetëruara janë të ndërtuara mbi këtë mekanizëm, ndaj edhe me vendosjen e taksës së sheshtë, vendoset një detyrim i madh moral dhe ligjor që në të ardhurat personale të jemi realë dhe jo simbolikë apo fiktivë. Unë llogaris këtu ndihmën tuaj, zërin tuaj, që ta ndryshojmë këtë, sepse në 1 korrik hyn në fuqi taksa e sheshtë për të ardhurat personale, 10 për qind. Sikundër, unë i kam kërkuar autoritetit tatimor, zëvendësministrit dhe ministrit, që të bëjnë kategorizime, sepse nuk mund të bëhet fjalë për të njëjtën kategori si në Tiranë dhe në Pukë, në Tropojë, apo në rrethe të tjera.
Ne ju ftojmë ju të na ndihmoni edhe në këto kategorizime të përcaktimeve, sepse ju siguroj se nuk kemi dëshirë të marrim qoftë edhe një qindarkë më tepër sesa kërkon ligji nga ju. Në mënyrë absolute jo. Dëshira jonë është të dalim në dritë bashkërisht, ta konsolidojmë këtë sistem. Dua të them se ka një element pozitiv, investimet e huaja, sipas një statistike të fundit, janë rritur nga 28 dollarë për frymë në 130 dollarë për frymë. Sërish janë të ulëta, por të paktën viti 2006 ka shënuar një rritje 3 herë. Shpresojmë që bashkërisht ta përmirësojmë edhe më tej klimën ndaj biznesit dhe të thithim edhe më shumë investime.
Unë kam ardhur t'ju dëgjoj sot këtu dhe t'u siguroj se ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që të gjitha çështjet e ngritura që janë të mundshme për t'u zgjidhur, ne do t'i zgjidhim. Kam parasysh këtu edhe takimin e zhvilluar me ndërtuesit, disa ditë më parë. Po kështu, disa çështje të zvarritura me eksportuesit dhe me ata që punojnë në sektorin fason, do të marrin zgjidhje shpresoj brenda muajit prill, sipas detyrave që unë kam caktuar. Le të vazhdojmë të zgjidhim një nga një problemet që kemi dhe të ecim përpara."
Më tej, gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Kryeministri Berisha iu përgjigj edhe sugjerimeve dhe shqetësimeve të ngritura prej tyre. Lidhur me kërkesën e tyre për rishikimin e vendimit për pagën minimale, Kryeministri theksoi: "Vendimi do të rishqyrtohet, pikërisht për këto kategori dhe do të kategorizohet edhe njëherë mbi bazën e rretheve".
Përsa i përket shqetësimit të bizneseve se edhe autoriteti tatimor duhet të jetë më profesional dhe i rregullt në drejtim të bizneseve, Kryeministri bëri këto komente: "Për gjithë këtë shqetësim që është krijuar, unë mendoj se shkaku më kryesor gjendet te autoriteti tatimor. Nuk ka njeri që të dëshirojë të japë para, ndaj nëse vendosen rregulla dhe zbatohen ato, secili do t'u përgjigjet atyre. Absolutisht sa herë thellohemi në punën e këtij autoriteti, ai gjendet si përgjegjësi më kryesor për krijimin e mekanizmave të informalitetit. Dua të theksoj, se kjo nuk është vetëm për tatimet. Është një praktikë e pakonceptueshme dhe papranueshme në qëndrimin ndaj ligjit. Ka një përpjekje për t'i kthyer shpinën ligjit, për të bërë lojën e kungulleshkës me ligjin, paçka se ligji ia njeh atij këtë të drejtë dhe jo vetëm prokurorit. Punonjësi i hipotekës i thotë qytetarit se unë të padis në gjykatë, pasi i ka bërë atij dëmin, kundrejt ryshfetit. I thotë se tashmë nuk kam ç'të bëj, por të padis në gjykatë. Ndaj ne duhet të bëjmë një përpjekje të jashtëzakonshme për të vendosur ligjin.
Tatimet kanë 10 vjet që kanë një sistem kompjuterik që mund t'i kishin afishuar formatet apo formularët e duhur për bizneset në web, në mënyrë që çdo biznesmen të mund t'i printonte dhe të mos sorollatej pafund për një formular. Por tatimori nuk e bën këtë, sepse do që të bëjë pazare. Në të kundërt, pse është e nevojshme të takohesh me biznesmenin? Problemi kryesor i këtij informaliteti është i vetkrijuar në këtë mekanizëm. Ndaj ne do përpiqemi të shkëputemi nga këto praktika. Për çështjen më kryesore, faturat, autoriteti tatimor është pengesë. Tatimet kanë shpikur faturën materiale. Prandaj, ne do të vendosim ligjin".
Ndërsa, lidhur me shqetësimin e ngritur nga disa përfaqësues të biznesit për mundësinë e shmangies së taksës së sheshtë për sektorin fasonist, Kryeministri u shpreh se "kjo çështje është diskutuar dhe do të vazhdojë të diskutohet edhe me ju. Natyrisht, taksën e sheshtë nuk e heqim dot, sepse është shndërruar në një model atraktiv për investitorët. Ne mund t'u ofrojmë shumë gjëra investitorëve, por nuk është se kemi shumë gjëra pozitive, ndaj jemi të detyruar të krijojmë sa më shumë faktorë pozitivë për të, në mënyrë që ai të vendosë për të investuar. Një nga këta faktorë është pa diskutim ulja e barrës fiskale dhe taksa e sheshtë. Pra, taksën e sheshtë nuk mund ta heqim dot, ne nuk mund të vendosim 2 standarde. Le të shohim mënyra të tjera se si do të mund të operohet".
Një tjetër çështje e ngritur nga përfaqësuesit e bizneseve, ishte edhe ngritja e Gjykatës Administrative. Kryeministri siguroi se ligji për Gjykatën Administrative është tashmë në Parlament. "Opozita nuk ka pasur deri tani ndonjë dëshirë të madhe, por shpresoj tashmë të bindet, sepse ajo duhet të ketë të njëjtin interes. Pra, ka të paktën 6 muaj që ligji qëndron në parlament. Ky ligj është hartuar me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare dhe ne do të përpiqemi përsëri për të bindur opozitën, sepse mbrojtja dhe avokatia e informalitetit nuk është në interes të askujt", theksoi Kryeministri.