E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Avokatin e Përgjithshëm italian të Shtetit, z. Oscar Fiumara

Kryeministri Sali Berisha priti në një takim Avokatin e Përgjithshëm italian të Shtetit, z. Oscar Fiumara.

Pasi i uroi mirëseardhjen z. Fiumara, Kryeministri bëri një pasqyrë të reformave ligjore të ndërmarra nga qeveria dhe përpjekjet për forcimin e institucionit të Avokatit të Shtetit dhe rritjes së kapaciteteve të tij profesionale. Ndonëse një institucion i ri, ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për ngritjen e këtij institucioni në standardet e kërkuara në mbrojtje të interesave të shtetit, u shpreh Kryeministri.

Avokati italian i Shtetit, pasi shprehu falënderimet për mikpritjen, shprehu respektin për Shqipërinë dhe personalitetet që ajo ka nxjerrë gjatë historisë së saj. Duke vënë theksin në rolin dhe rëndësinë e Institucionit të Avokatit të Shtetit, zoti Fiumara siguroi për bashkëpunimin dhe ndihmën që institucioni që ai drejton, do të japë për rritjen profesionale dhe të kapaciteteve teknike të institucionit të Avokatit të Shtetit në Shqipëri.

Kryeministri Berisha vlerësoi se standardet në proceset e integrimit janë të një rëndësie të veçantë. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi ndihmën e institucionit të Avokatit të Shtetit italian, në plotësimin e standardeve dhe zhvillimit të institucionit shqiptar të Avokatit të Shtetit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›