Zhvillohet seanca e parë parlamentare, PS-ja bojkoton Kuvendin
Topi, Withers dhe Bosh ndjekin nga afër punimet e seancës së parë. Deputetët do të betohen në seancën e sotme, pas verifikimit të mandateve
Eljona Ballhysa
Ashtu sikurse ishte njoftuar ditë më parë, deputetët socialistë munguan në seancën e djeshme parlamentare duke respektuar vendimin e Grupit Parlamentar për të bojkotuar punimet e Kuvendit. Seanca e parë parlamentare, e cila shënon fillimin e sesionit të ri parlamentar për Legjislaturën XVIII, filloi dje në orën 18:00. Në shkallët e Kuvendit ishte vendosur Trupa e Nderit si për të krijuar një moment solemn për të gjithë ligjvënësit. Ndërsa fillimin e seancës e shënoi mbajtja e Himnit Kombëtar dhe nderimi i tij nga deputetët. Të pranishëm në sallë, përveç të zgjedhurve nga kampi i djathtë dhe aleatëve nga LSI-ja, PDI-ja dhe deputetit të PBDNJ-së, ishin Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Robert Bosh, përfaqësues të tjerë të Trupit Diplomatik, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Seancën e ka drejtuar deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja, i cili mban moshën më të madhe midis deputetëve të tjerë, pas kryeministrit Berisha, i cili refuzoi drejtimin e seancës për të mos shkelur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.
Punimet
Seanca e djeshme zgjati pak minuta. Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i seancës, Fatos Beja. Ai i përshëndeti të pranishmit në sallë, Presidentin e Republikës, ambasadorët, përfaqësuesit e Trupit Diplomatik dhe ata të komuniteteve fetare, si dhe deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Beja vlerësoi lart legjislaturën e kaluar. Ai tha se ajo do të mbahet mend për shumë reforma, por më së shumti për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Beja uroi, ndër të tjera, që kjo legjislaturë e re të mbahet mend për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke kthyer në realitet një ëndërr të kahershme të shqiptarëve. Beja gjithashtu uroi deputetët në misionin e tyre të ri që të realizojnë me dinjitet detyrat që rrjedhin si të zgjedhur të popullit. Më pas, ai, duke u bazuar në Nenin 1 të Rregullores së Kuvendit, përcaktoi emrat e tre anëtarëve që do të luajnë rolin e Sekretarisë së Kuvendit deri në mbledhjen e Byrosë Parlamentare. Neni 1 i Rregullores parashikon që anëtarë të Sekretarisë të jenë tre deputetët me moshën më të re në sallë. Të tillë u përcaktuan deputetët e PD-së, Gerti Bogdani, Ledina Aliolli e Paulina Hoti. Më pas, kryetari i seancës, në bazë të Nenit 2 të Rregullores së Kuvendit, lexoi emrat e deputetëve të zgjedhur dhe të mandatuar nga KQZ-ja. Ai lexoi listën prej 140 emrash, duke përfshirë dhe deputetët e Partisë Socialiste, të cilët nuk ishin të pranishëm në sallë. Deputetët e pranishëm duartrokitën kur kreu i seancës, midis të tjerëve, lexoi emrin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Më pas deputetët përzgjodhën anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve. Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi propozoi katër emrat e kësaj partie, që janë: Jemin Gjana, Mesila Doda, Osman Metalla e Eduard Halimi. Në emër të LSI-së anëtarë në këtë komision do të jetë deputeti i ri, Nasip Naço. Ndërsa mungojnë katër anëtarët e tjerë që i përkasin Partisë Socialiste. Gjithsesi, këta deputetë do të verifikojnë mandatet e kolegëve të tyre dhe sot në orën 18:00 do t’i paraqesin Kuvendit në seancën e dytë parlamentare një raport mbi të dhënat. Në rast se ky komision vëren se deputeti nuk e meriton mandatin, ai i propozon Kuvendit që ta dërgojë për shqyrtim çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe është ky institucion që vendos për mandatin e deputetit. Pritet që gjatë pasdites së sotme deputetët të bëjnë betimin mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke i hapur rrugën jo vetëm zgjedhjes së kryetares së Kuvendit, por edhe dekretimit të kryeministrit të ri nga Presidenti i Republikës.
8 Shtator 2009