E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvleresimi i euros Kotorri Perfitojne kredimarresit

Kredimarrësit dhe konsumatorët mund të shpresojnë për lehtësi në shpenzimet e tyre nëse monedha europiane mban këtë trend të zhvlerësimit. Për Albanian Screen ekonomistët shpjegojnë se zhvlerësimi i dy javëve mund të zgjasë nëse në Shqipëri do të kemi hyrje të konsiderueshme të turistëve. Faktorë të tjerë janë dhe problemet financiare me të cilat po përballen shumë shtete të BE-së.

“Ndikimi i parë dhe i drejtpërdrejtë është për ata që kanë kredi në euro. Normal, kanë marrë kredi në euro për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të ardhurat i kanë në lek do të thotë që një këst i paguar në këtë periudhë në monedhën europiane kushton më lirë, sepse duhen më pak lekë për të blerë atë sasi eurosh”-thotë Adriatik Kotorri, pedagog i Financës UT.

Që prej fillimit të këtij muaji monedha e përbashkët ka regjistruare vetëm zhvlerësim duke arritur në vlerën 138 lekë e 97 qindarka që është dhe kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë. Euro brenda dy javësh regjistroi rënie prej gati 2 për qind. Në muajt e fundit, vlera më e ulët e euros ka qenë në korrikun e 2010-ës kur këmbehej me 134 lekë e 86 qindarka. Që prej atëherë tendenca ka qenë gjithnjë në rritje.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›