Fatos Beja pritet të drejtojë seancën e parë të Kuvendit të ri
Fatos Beja, ish-nënkryetari i Kuvendit, aktualisht ministër i Arsimit, pritet të drejtojë seancën e parë plenare të legjislaturës së re më 7 shtator. Në zbatim të Rregullores së Kuvendit seanca e parë drejtohet nga deputeti më i vjetër, që është kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit bëri të ditur se nuk do ta pranojë këtë privilegj që ia njeh Rregullorja e Kuvendit, pasi nuk do të shkelë parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Pas Berishës, deputeti më i vjetër në moshë është Etem Ruka, i Partisë Socialiste. Pritet që Ruka të zbatojë vendimin politik të PS-së për të bojkotuar Kuvendin. I treti në radhë është pikërisht Fatos Beja. Ish-nënkryetarit të Kuvendit do t’i duhet të hapë punimet e legjislaturës së re në një sallë ku do të mungojnë 64 deputetët e PS-së. Të pranishëm në sallën e seancave plenare pasditen e së hënës duket se do të jenë të pranishëm 68 deputetët e PD-së, 4 të LSI-së, kryerepublikani Fatmir Mediu, Dashamir Tahiri i partisë që përfaqëson komunitetin çam, si dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së.
2 Shtator 2009