OSBE-ja pritet të publikojë të premten raportin përfundimtar për zgjedhjet
Prezenca e OSBE/ODIHR-it në Shqipëri pritet të publikojë ditën e premte raportin përfundimtar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Sipas burimeve nga kjo organizatë, e premtja është data më e mundshme që misioni i kryesuar nga Odrei Glover, në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, të nxjerrë raportin e fundit me konkluzionet për 28 qershorin. Ndonëse ishte deklaruar fillimisht se raporti përfundimtar do të dilte 28 ditë pas shpalljes së rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pra më datë 29 gusht, arsyeja e vonesës ka qenë pushimet verore në administratën e selisë qendrore të ODIHR-it në Varshavë, ndonëse zyra e znj. Glover mësohet të ketë dorëzuar raportin që prej disa kohësh. Pas aprovimit nga drejtuesit në Poloni, vlerësimi për zgjedhjet e 2009-s në Shqipëri do të zbardhet këtë fundjavë nga ambasadorja Glover dhe zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk. Vëzhguesit afatgjatë dhe afatshkurtër të ODIHR-it monitoruan të gjithë procesin zgjedhor, që nga hapja e fushatës deri në shpalljen e mandateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas përfundimit të apelimeve në Kolegjin Zgjedhor.
2 Shtator 2009