Zhytet në borxhe Levan-Vlorë, qeveria kërkon 10 mln Euro kredi
Tiranë- Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë është shoqëruar sërish me debate mes deputetëve te opozitës dhe mazhorancës gjatë votimit të një ligji i cili i jep autorësinë qeverisë të marrë 10 milionë euro kredi për të përballuar kostot e aksit Levan- Vlorë.
Sipas këtij drafti kostoja që shteti duhet të paguajë për ndërtimin e kësaj rruge rritet me 48.2%, ndërkohë që afati i përfundimit të saj ishte viti 2009. Sipas qeverisë vonesat e përfundimit të punimeve erdhën për shkak të ndryshimit të projektit.
“Pas fillimit të punimeve, u pa nga supervizori i këtij projekti që është një kompani italiane, që një nga shtresat kryesore që duhet të ketë një autostradë e mirëfilltë mungonte dhe u kërkua menjëherë ndryshimi i projektit për ta rifutur në projekt këtë shtresë”,- tha Ernest Noka, zëvendësministër i Transporteve.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Transporteve ky fond shtesë nevojitet për të paguar faturat e prapambetura ndaj kompanisë ndërtuese.
Ky borxh është kundërshtuar nga opozita ku sipas saj kjo kosto bie mbi qytetarët dhe shak janë aferat korruptive që kanë karakterizuar ndërtimin e këtij aksi.
“Mbas informacionit që ju kemi kërkuar dhe që shpresojmë ta kemi, ne do të mundësojmë një sqarim të madh publik, lidhur me këtë aferë, e cila nuk është në dinjitetin e asnjë qeverie”, tha deputetja socialiste Mimi Kodheli.
Projekti për aksin Levan- Vlorë është tenderuar që në vitin 2007 me një afat 2 vjeçar dhe jë kosto prej 42 milionë eurosh. Gjatë këtyre viteve ka patur zvarritje të punimeve, ndërsa pas miratimit të ktij drafti kostoja rritet edhe me 18 milionë euro.