E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoba dhe pezullime te Tomori. Nasufi: Lojtarë llotosh

Nga RUSHAN DOSTI

Tomori analizon humbjen, shigjetohen lojtarët jabanxhinj si fajtorë, ndërkohë që pezullohen Mile, Çaushaj dhe Roshi, por do ketë të tjerë

Gjendje shokuese te Tomori. Humbja me Teutën ka sjellë pështjellime të reja, aq sa duhet kohë për të marrë veten. Në analizën e djeshme është marrë vendimi për pezullimin e tre lojtarëve kryesorë të skuadrës beratase, konkretisht Mile, Çaushaj e Roshi. Ky vendim nuk është pritur mirë nga kolegët e tjerë, të cilët nuk janë paraqitur në stërvitje, gjë që ka sjellë dhe reagimin e klubit, sipas drejtuesve të të cilit, të gjithë ata futbollistë që nuk kanë qenë në stërvitje nuk do të jenë më pjesë e skuadrës beratase.

Ky vendim ka gjetur edhe mbështetjen e tifozërisë, e cila ka përshëndetur klubin dhe ka ndjekur stërvitjen vetëm me futbollistët vendës, ku shumica kanë qenë të rinj. Kalendari i ndeshjes së radhës është përsëri në disfavor të beratasve, të cilët kërkojnë me çdo kusht një kthesë në rezultatin e tyre.

Gjithsesi, tashmë gjërat po qartësohen dhe klubi së bashku me bashkinë po afrohen te përgjegjësit kryesorë. Objekt i akuzave për këtë situatë, për momentin janë bërë futbollistët jabanxhinj, ndërkohë që edhe ata pak lojtarë vendës të aktivizuar në këto javë, nuk është se kanë shkëlqyer.

Gjoba Pavarësisht detajeve të analizës së zhvilluar, ajo që kemi mundur të mësojmë e që është një ndër masat më të rënda, ka të bëjë me faktin se këtë herë nuk është toleruar, teksa është vendosur gjobë për secilin futbollist, masa e së cilës përqaset me pagën mujore të secilit. Në krahun tjetër, kryebashkiaku Fadil Nasufi ka lëshuar akuza tejet të rënda për disa lojtarë, të cilët sipas tij, kanë braktisur interesat e futbollit beratas dhe preferojnë llotaritë sportive.

Edhe pse Nasufi nuk ka përmendur emra konkretë, mësohet se ai ka akuzuar 4 futbollistë jabanxhinj, që janë lojtarë të rregullt të llotove dhe që abuzojnë me djersën dhe ndjenjat e futbollit beratas, të cilët sipas tij, duhet të largohen nga ekipi, para se të largohen me ceremoni. Një akuzë kjo tepër e rëndë për lojtarë profesionistë, e cila nëse rezulton e vërtetë, duhet të penalizohet deri në përgjegjësi ligjore.

Ajo që mbetet për tu zbardhur për momentin ka të bëjë me emrat që Nasufi ka ndër mend të largojë nga ekipi, të cilët i paralajmëron se nëse nuk largohen vetë, do të largohen me ceremoni dhe se nuk mban asnjë përgjegjësi nëse ata i largon me dhunë publiku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›