E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdini, i dyzuar për rikthimin tek Dinamo

Nga ANDI MATRAXHIU

Trajneri Faruk Sejdini duket tepër i pezmatuar nga performanca e fundit e futbollistëve të tij. Dyket shumë i vështirë rikthimi

Dinamo ka vazhduar përgatitjet e saj për ndeshjen e radhës ndaj Teutës. Pavarësisht përkrahjes së ambientit dinamovit, duket se fjalët e trajnerit Faruk Sejdini pas humbjes ndaj Kamzës, nuk janë të kota. Do të shikoj pozicionin tim, smund të qëndroj në një skuadër që rrezikon të bjerë nga kategoria për vetë të kaluarën time, ku kam fituar disa tituj me skuadrat që kam drejtuar.

Po shikoj pozicionin tim, mbase jam edhe pak i mërzitur nga humbja,- tha pas sfidës së Qemal Stafës trajneri i bluve. Por pavarësisht përkrahjes së presidencës dinamovite dhe ambientit përreth saj, Xhaxhi dje nuk ka qenë i pranishëm në stërvitjen e bluve. Duket se Sejdini, i mërzitur nga performanca e fundit e skuadrës së tij, nuk e ka përtypur këtë humbje dhe, pavarësisht se deklaroi pak ditë më parë në gazetën Sporti shqiptar se nuk dorëzohet kundrejt padrejtësive të arbitrave dhe se misioni i tij nuk do të ndalej deri në fund, tashmë janë vetë futbollistët blu që e kanë bërë atë të dorëzohet pa kushte.

Edhe pse aludimet janë të shumta, edhe nëse Xhaxhi mund të rikthehet (gjë që duket tepër e vështirë, duke njohur sedrën profesionale të tij), vazhdimësia do të jetë tepër e vështirë në radhët e bluve. Dinamo tashmë ndodhet në ujëra vërtet të turbullta, gjendja aktuale në tabelën e klasifikimit është vërtet e pabesueshme, por tepër e vërtetë. Askush smund ta besojë që Dinamo, e cila dominoi dy sezone më parë kampionatin shqiptar, tashmë ndodhet në këto pozita.

Por problemet e bluve kanë nisur pikërisht në sezonin e shkuar, teksa lëshimet e detyruara ndaj Skënderbeut kanë sjellë dhe pasoja të ndryshme, duke krijuar mungesë të ekuilibrave në kampin blu, të cilat vazhdojnë e ndihen edhe sot e kësaj dite. Xhaxhi i vetëm smund të përballojë gjithçka. Lufto arbitrat, lufto fenomenet e ndryshme në kompleksin xhungël, dikur i quajtur Dinamo, në fund vjen edhe performanca skandaloze e lojtarëve blu ndaj Kamzës.

E çfarë të mendojë një trajner, kur besimi ndaj skuadrës së tij shikohet si dobësi? Çfarë të bëjë Xhaxhi kur edhe këta të fundit nuk i përgjigjen në mënyrën e duhur? Normal që ai edhe mund të dorëzohet, por jo për fajin e tij, pasi të gjithë e pamë mjaft mirë që ky trajner, pavarësisht se në moshën 62-vjeçare, Dinamon e ka në zemër.

Ai luftoi me të gjithë mundësitë në këtë komunitet bishash që e rrethojnë, por duket se Dinamo tashmë është e pashpresë, kategoria e parë po e thërret e futbollistët blu janë ata që kanë në dorë fatet e Dinamos. Nëse nuk reagojnë, atëherë humnera është e gatshme të presë një skuadër legjendare, e cila numëron plot 18 tituj kampion, 13 kupa dhe 1 superkupë në futbollin shqiptar. Por në ditët e sotme, ku problemet e shtetit tonë janë të ndryshme, shkatërrimi i Dinamos mund të jetë tragjedia e fundit që mund të ndodhë.

Orari i stërvitjes mund të ndryshojë

Të shtunën e shkuar ekipi i bluve të kryeqytetit ka pasur një amulli përpara se të fillonin stërvitjen në orarin e caktuar. Kjo ka ndodhur sepse në fushë ndodheshin disa ekipe të tjera moshash, që zhvillonin stërvitje, ndërkohë që në fushë duhej që të ishte ekipi i Dinamos për seancën e radhës stërvitore. Dje stërvitja ka nisur në orën 14:00, por është premtuar që nga dita e sotme dhe në vazhdim do të zhvillohet në orën 13:00, por kjo mbetet ende për tu parë, pasi nuk është arritur ende në një konsensus.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›