Hamburgu kërkon Slaven Biliç
Skuadra e Hamburgut është gati të bëjë sakrifica të rëndësishme ekonomike për të siguruar shërbimet e trajnerit Slaven Biliç, i cili do të drejtojë Kroacinë gjatë pjesëmarrjes në EURO 2008. Ishte vetë trajneri që e bëri publik këtë lajm në gazetën kroate "Jutarnji List", duke lënë të kuptojë që është i tunduar nga kjo ofertë e ekipit gjerman. "Ata e kanë bërë të qartë se dëshirojnë që unë të marr drejtimin e skuadrës, duke filluar nga vera e këtij vitit. Megjithatë, ne nuk kemi bërë asnjë diskutim rreth detajeve të një kontrate të mundshme", tregoi Biliç për gazetën kroate. Sipas trajnerit, ai aktualisht është në bisedime edhe me drejtuesit e Federatës Kroate të Futbollit, rreth të ardhmes së tij në drejtimin e ekipit përfaqësues. "Nuk do të më pëlqente të përdorja mediat si mënyrë komunikimi me punëdhënësit dhe gjithsesi, mund të them se nuk ka ende asgjë të re në këtë drejtim. Por është e vërtetë se e cilësoj një nder ofertën që më ka bërë skuadra e Hamburgut", u shpreh ai. Presidenti i Federatës Kroate të Futbollit, Vlatko Markoviç, deklaroi disa javë më parë se ai do të dëshironte të mbante Biliç në drejtimin e përfaqësueses, por ishte i bindur se trajneri 39-vjeçar do të merrte shumë oferta nga klubet e rëndësishme evropiane. Biliç e mori drejtimin e përfaqësueses pas Botërorit 2006 dhe e kualifikoi Kroacinë në fazën finale të EURO 2008, duke lënë pas në grup ekipe si Rusia dhe Anglia, pasi eliminoi pikërisht këtë të fundit nga turneu ndërkombëtar. Interesi i Hamburgut vjen pasi trajneri Hub Stivens ka lajmëruar se do të largohet në fund të sezonit.