Zidan u trajtua si një “terrorist” nga Marko Materaci

Algjeri, 10.07.06- Një nga kushërinjtë e Zinedin Zidan pohoi se goditja me kokë e Zizu kundër Marko Materacit gjatë ndeshjes finale të Kupës së Botës ishte provokuar pas fyerjeve të futbollistit italian me fjalët "terrorist". Rabah Zidan, që jeton në fshatin Agumoune në Kabylie, ku është edhe origjina e familjes Zidan, pohoi se "Zizu, në zakonet e tij nuk godet kurrë. Ai është shumë i sjellshëm. Por është e sigurt se Materaci i ka thënë dicka shumë të rendë". Ai shtoi se e kishte dëgjuar kushëririn e tij të kishte thenë se Materaci e kishte trajtuar si "terrorist". "Nëse ka qenë kështu, ai ka patur arsyen të reagonte"
Pas një shkëmbimi batutash me mbrojtësin e Interit, Zidan i dha një goditje të fortë me kokë në kraharor atij, duke e detyruar gjyqtarin ta largonte kapitenin e Francës në minutën e 110-të të takimit. "U zhgënjyem. Ishte e trishtueshme", pohoi Rabah Zidan. "Fatkeqësisht përfundoi shumë keq. Ky ëhtë futbolli: ka një fitues, por ka dhe një humbës". Pavarësisht nga gjesti që kreu, Zinedin Zidan, u zgjodh si lojtari më i mirë i Kupës së Botës. "Kjo na dha shumë kënaqësi", - shtoi Rabah Zidan.