E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zihet me të dashurin, pi ilaç miu

19/04/2005  Valbona Koçi nga fshati Babrru ndodhet në gjendje të rëndë në spital

TIRANË- Vetëhelmohet me fostoksinë 19-vjeçarja me origjinë nga Dibra. Sipas burimeve të Komisariatit numër 3, Valbona Koçi, 19 vjeçe, lindur në Dibër e banuese në Babrru ka pirë ilaçin e miut, pas një tronditjeje të thellë psikike. Më pas, ajo u dërgua në Spitalin numër 2, në të cilin vazhdon të qëndrojë ende në gjendje jo të mirë shëndëtesore. Burimet e policisë thanë se ende po punohet për përcaktimin e plotë të shkaqeve të një veprimi të tillë, ndonëse tashmë janë përcaktuar disa pista paraprake, ku njëra prej tyre është një konflikt me të dashurin dhe me të atin. Gjithsesi në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Rendit thuhej: "Më datë 17.04.2005, ora 11.30, në banesën në Babrru është vetëhelmuar me fostoksinë dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë një shtetese, 19 vjeçe, me arsim fillor. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe bllokua lëndë helmuese. Punohet për sqarimin e shkakut të ngjarjes.

Shkaku

Ndonëse grupi i punës po vazhdon hetimet për shkakun që e detyroi 19-vjeçaren të kryente një veprim të tillë, pista paraprake është ajo e një konflikti të Koçit me të dashurin e saj, gjë e cila, sipas policisë, solli një grindje me të atin. Gjithsesi do të jenë hetimet e plota, ato që do të përcaktojnë qartë motivin e vetëhelimimit të vajzës, gjendja shëndetësore e së cilës, sipas mjekëve të Spitalit numër 2, nuk është aspak e kënaqshme.

Precedenti

Disa ditë më pare u vetëvar me shall një 23-vjeçare. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17.00, përballë vilave amerikane, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan, kur Blerina Shina 23 vjeçe, lindur në Burrel e banuese në Tiranë, i ka dhënë fund jetës në dhomën e saj. Askush nga familja nuk kishte dëgjuar gjë nga kjo ngjarje e rëndë, ndërsa ka qenë nëna e saj, ajo që hyri në dhomë, e gjeti vajzën në një gjendje tepër të rëndë, pasi ishte në momentet e fundit të jetës. Më pas, ajo u dërgua me urgjencë në spital, ku u fut menjëherë në sallën e reanimacionit për t'u kuruar nga mjekët. Burime nga Mjekësia Ligjore thanë se, koha që Shina ka qëndruar e varur ka qenë e madhe dhe është pikasur tepër vonë, gjë e cila ka sjellë vdekjen e saj. Pas qëndrimit në spital, trupi i pajetë i 23-vjeçares u dërgua menjëherë në morgun e Tiranës, ku u ekzaminua trupi i saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›