Bllokohet një furgon me lines kontrabandë
19/04/2005 TIRANË- Një furgon me intime lines kontrabandë është bllokuar dy ditë më parë në Kombinat. Nga burime të Zyrës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar bëhet e ditur se, gjatë orëve të vona të dy ditëve më parë, në Kombinat, uniformat blu mundën të bllokojnë një furgon të firmës "ADA" shpk dhe kanë arrestuar magazinierin që ka tërhequr këto mallra kontrabandë. Burimet e policisë thanë se në datën 17.04.2005, specialistët e seksionit kundër pastrimit të parave dhe krimit ekonomiko-financiar, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Fejzi Bajrami, 53 vjeç, lindur në fshatin Krasë të Tepelenës dhe banues në Tiranë. Shtetasi i lartpërmendur, me detyrë magazienier në firmën private "Ada", ka konsumuar veprën penale të falsifikimit të vulave dhe ka konsumuar veprën penale të tërheqjes së mallrave për kontrabandë, parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal. Ndërkohë pronari i mallit është shpallur në kërkim, ndërsa mësohet se lloji i intimeve ishte lines dhe vinte në Shqipëri nëpërmjet aeroportit të Rinasit.