E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në dy kate të pallatit, digjen orenditë, shpëtojnë njerëzit

10/06/2009  Evakuohen banorët, shkak shkëndija elektrike

TIRANE- Një zjarr i madh ka rënë në një apartament që ndodhet në bulevardin “Zogu I” afër Ministrisë së Drejtësisë. Mësohet se fillimisht vatra e zjarrit është përhapur në katin e gjashtë të ndërtesës dhe më pas flakët janë përhapur pothuajse në të gjitha dhomat e apartamentit. Kanë qenë pikërisht banorët e zonës ata që kanë telefonuar zjarrëfikset, efektivët e së cilës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Të ndihmuar edhe nga efektivë të policisë së kryeqytetit zjarrëfiksit mundën të evakuojnë me sukses të gjithë banorët, duke bërë që nga flakët e mëdha të zjarrit të mos ketë asnjë person të lënduar. Mësohet se në momentin e rënies së flakëve në apartament nuk kishte asnjë person. Pas ndërhyrjes së punonjësve zjarrfikës, zjarri është vënë nën kontroll duke sjellë që më pas flakët e tij të shuhen plotësisht. Policia tha se si pasojë e rënies së zjarrit të gjitha sendet materiale që ndodheshin në ambientet e shtëpisë, janë djegur plotësisht. Ndërkohë që në të njëjtën kohë specialistët e policisë së Tiranës si dhe ekspertë të zjarreve, kanë filluar hetimet për të gjetur shkakun që solli zjarrin në banesë. Nga veprimet hetimore si dhe nga pyetja e pronarit të banesës së djegur mendohet se shkak i këtij zjarri ka qenë një shkëndijë elektrike në sistemin elektrik të banesës ose ndonjë pakujdesi e vetë pronarit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›