E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën kreu i ICITAP, falënderohet për ndihmën

10/06/2009  Në ceremoni edhe Ahmet Prençi

TIRANE- Policia e shtetit zhvilloi dje ceremoninë e largimit të Darel Hart, shefi i programit ICITAP. Në këtë ceremoni merrte pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, si dhe drejtues të lartë të policisë së shtetit. Në fjalën e tij, Drejtori i përgjithshëm i Policisë vlerësoi bashkëpunim në këto tre vite me misionin amerikan ICITAP. “Gjatë këtyre viteve janë ndërmarrë reforma, të cilat kanë konsistuar në transformimin e sistemit të trajnimit policor, hapja e kurseve të para të trajnimeve bazë, hartimi i Ligjit të Ri për Policinë e Shtetit, implementimi i sistemit të ecjes në karrierë në bazë të aftësive dhe meritave, futja gjerësisht e sistemit kompjuterik në polici, hartimi i miratimit të gjithë kuadrit nënligjor të mbështetjes së legjislacionit të ri, etj.”,- tha Prençi. Drejtori i përgjithshëm vlerësoi të rëndësishëm rolin e Hart, si drejtues i këtij misioni, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe të përmirësimit të kapaciteteve institucionale dhe operacionale të policisë. Nga ana tjetër Darel Hart tha se në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit ai gjeti partnerë të predispozuar dhe me vullnet të mirë për të punuar. Prençi për kapjen e një oficeri me drogë tha se “çdokush mban përgjegjësi për atë që bën dhe oficeri Murra është liruar nga detyra, ndërsa hetimet vazhdojnë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›