E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në një anije cisternë në portin e Durrësit

Autori i Lajmit: red.
Një anije çisternë nafte është përfshirë pjesërisht nga flakët. Mësohet se zjarri ka rënë në anijen e transportit të mallrave “Anatasios 1”. Gjithçka ka nisur në motorin e anijes, e cila ishte e mbushur me karburant. Forca të shumta policie dhe nga Reparti i Mbrojtjes Kundër Zjarrit, shkuan në vendin e ngjarjes në përpjekje për të shuar flakët. Flakët kanë rrezikuar Portin e Durrësit, pasi anija ishte e ngarkuar me naftë dhe ndodhej në fazën e përpunimit. Fatmirësisht, anija ka qenë e ankoruar në port dhe ekuipazhi ka mundur të dalë nga bordi i saj menjëherë pas konstatimit të ngjarjes. Incidenti ka ndodhur pak pasi anija çisternë është ankoruar në kalatën numër 4 në portin e Durrësit, ku dhe po kryente procesin e përpunimit të karburantit nga autoriteti portual. Burime nga policia e qytetit bregdetar bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.45 minuta, ku të parët që e kanë konstatuar situatën kanë qenë ekuipazhi i anijes. Sipas të njëjtave burime, mësohet se pas konstatimit është alarmuar porti dhe kapitenetria e përgjithshmë ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Për shuarjen e zjarrit kanë ardhur në ndihmë të zjarrfikësve të portit edhe zjarrfikësit e qytetit. Katër zjarrfikëse kanë punuar për shuarjen e flakëve, ndërkohë që një grup tjetër, i përbërë nga efektiva të zjarrfikësve dhe sigurisë portuale, kanë qëndruar në gatishmëri, pasi anija e përfshirë nga flakët ndodhej shumë pranë me anije të tjera çisternë dhe tregtare. Për të vënë nën kontroll situatën është dashur më shumë se 30 minuta, ndërkohë që është kërkuar edhe ndihma e dy rimorkiatorëve. Lidhur me shkaqet e rënies së zjarrit ekspertë në vendngjarje kanë pohuar se dyshimet e para bien mbi një defekt të pësuar në bateri, e cila ndodhej në sallën e motorëve. Por, pas shuarjes së plotë të zjarrit dhe marrjes në dorë të situatës nga ana e grupit hetimor do të vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në vendin ku ndodhi incidenti, fatmirësisht, nuk ka pasur personel, kështu që janë shmangur dëmtimet në njerëz, duke mbetur vetëm në anën materiale. Nga kapiteneria mësojmë se anija çisternë nuk do të vazhdojë lundrimin, pa u sqarur çështja si dhe pa përfunduar riparimi i plotë i defektit të ndodhur. Për të zbardhur shkaqet e zjarrit është është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga katër persona. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes ku janë parë flakët e para nga personeli, grupi hetimor ka ndërtuar ngjarjen. Burimet bëjnë të ditur se dyshohet se shkak për ngjarjen e ndodhur është bërë një defekt në një bateri, pikërisht në sallën e motorëve. Si pasojë e këtij defekti, pjesa e telave ka marrë flakë, duke u përhapur në një hark kohor të shkurtër prej 15 minutash në pjesën më të madhe të sallës motorike si dhe në ambientet e tjera të brendshme të anijes. Nga informacionet e para mësohet se zjarri nuk ka shkaktuar asnjë të lënduar, por dëme të mëdha materiale. Ndërkohë burime nga kapiteneria bëjnë me dije se dëmet e shkaktuara janë të pallogaritshme, pasi si pasojë e flakëve që përfshinë pjesën e brendshme të anijes çisternë, është djegur në mënyrë të plotë njëri prej motorëve si dhe janë dëmtuar disa prej ambienteve të tjera. Në vëmendjen e inspektorëve të hetimit është edhe kapaciteti zjarrshues i "Anastasios 1”, pasi anijet çisternë duhet të zotërojnë masa të larta antizjarr në bord dhe mbi të gjitha duhet të kenë ekuipazh të trajnuar, të cilët duhet të jenë të pajisur edhe me diplomat përkatëse.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›