E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në sheshin “Skënderbej”, digjen disa goma

Autori i Lajmit: red.
Djegia e disa gomave zbukuruese në sheshin “Skënderbej” të Tiranës ka shokuar për disa minuta kalimtarët e rastit. Ka qenë një lojë fëmijësh ajo që shkaktoi panik. Por, fatmirësisht, në pak minuta gjithçka u mbyll pa dëme. Burime nga policia bëjnë të ditur se në qendër të kryeqytetit ishin vendosur disa goma makinash, të cilat do të shërbenin për të ndërtuar një pemë festive. Ndërkohë një grup adoleshentësh kuriozë kanë ndjekur për pak minuta procedurën e përgatitjes së gomave për dekor. Më pas një prej tyre i ka vënë flakën njërës gomë dhe flakët kanë përfshirë të gjitha gomat që ndodheshin në shesh. Banorët, të traumatizuar, kanë njoftuar policinë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Gjithçka ka ndodhur dje në mesditë, ndërkohë që policia është vënë në kërkim të adoleshentit që shkaktoi zjarrin. Pasi situata është vënë nën kontroll, shefi i Shërbimit Zjarrfikës, Dilaver Laçi, deklaroi se flakët e shkaktuara nga pakujdesia, u shuan dhe situata u vu plotësisht nën kontroll, edhe pse rëndoi trafikun në qendër të kryeqytetit.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›