Zjarr në një xhami në Manastir
Zjarri ka përfshirë mbrëmë një pjesë të një xhamie në qytetin e Manastirit, bëjnë të ditur burime nga radhët e banorëve shqiptarë të këtij qyteti.
Banorët në kushte anonimiteti theksojnë se kjo është një vepër e vandalëve maqedonas, të cilët kanë tentuar të djegin xhaminë, në shenjë hakmarrje ndaj ngjarjeve në Kalanë e Shkupit.
“Zjarri ka përfshirë një pjesë të vogël dhe nuk kemi pasur qasje aty. Nuk kemi informacione për dëme të shkaktuara, por ky akt vandal na rikujton ngjarjet dhe tmerrin e vitit 2001 kur u dogjën shtëpitë tona dhe tempujt fetar”, theksoi jë nga shqiptarët e Manastirit.
Zëdhënësi i Sektorit të Punëve të Brendshme në Manastir, Gjoko Strezovski konfirmoi se ka pasur zjarr në xhami, mirëpo ai theksoi se ai është lokalizuar dhe nuk ka nevojë që lajmit ti bëhet bujë nëpër media.
“Nuk ka asnjë dëm, sepse zjarri ka qenë i lokalizuar menjëherë, pasi që është ndezur një letër kartoni. Nuk ka nevojë të ngritët bujë me një ngjarje të tillë”, theksoi Strezovski. MPB bëri të ditur se do të jap informacione të hollësishme lidhur me këtë ngjarje.
Në Strugë mbrëmë persona të panjohur kanë dëmtuar varrezat myslimane dhe ky është sulmi i pesë vandal ndaj këtyre varrezave.
Një ditë më herë, persona të panjohur kanë dëmtuar varrezat myslimane në Strugë.