Zjarret, Noka: Situata problematike por jo alarmante

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka deklaruar sot se situata nga zjarret është problematike por jo alarmante. Në një prononcim për mediat në lidhje me situatën në disa zona të vendit, Noka theksoi se është shuar pjesa dërrmuese e zjarreve në vend pas një reagimi të menjëhershëm.
Gjithashtu Noka ka falenderuar edhe forcat e ushtrisë, policisë,emergjencave dhe banorët e zonave të prekura nga zjarret për gadishmërinë e treguar për shuarjen e flakëve. Ministri Noka i është referuar edhe deklaratës së kreut të PS-së Rama për situatën nga zjarret duke theksuar se ai duhet të ndryshojë strategji dhe të mos bëjë politikë mbi fatkeqësitë.
“Situata e zjarreve është problematike në disa zona, nuk është alarmante në gjithë territorin, por në Bozdovec, malet e Lurës dhe Pukës, pjesa tjetër janë dominuar nga ekipet shpëtuese. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, banorët, emergjencat, forcat e policisë dhe ushtrisë. E dëgjova kryetarin, si kam dëgjuar të gjithë deputetët që ai ka nxjerrë për të ndjellë kob e zi. Zoti Rama të ndërrojë strategji, se nuk mundet që një forcë që pretendon pushtet të ndërtojë politikën mbi fatkeqësinë që pllakos në zona të caktuara. Rama të dënojë zjarrvënësit dhe t`i bëjë thirrje shoqërisë të bëjë maksimumin për të bashkëpunuar. Ai duhet t`i bëjë thirrje drejtësisë që të dënojë maksimalisht të gjithë zjarrëvënësit” tha Noka.
Ministri Noka, i është përgjigjur edhe akuzave të kreut të opozitës, për rritjen e kriminalitetit në Shqipëri. "Opozita nuk mund të dalë me shifra të prodhuara nga selia rozë, pasi krimi nuk ka ngjyrim politik. Opozita nuk mund të dalë duke fërkuar duart, pasi kjo nuk është situatë që ndodh nga njerëz me ngjyrime politike, janë shifra rekord të zbulimit të krimit dhe të arrestimit, mbi 98 % janë ndaluar, qoftë për vrasjet, aksidentt dhe vjedhjet. 100 % e rasteve të vjedhjeve janë zbuluar, autorët janë ndaluar dhe janë dërguar para drejtësisë. PS duhet pikë së pari të bashkangjitet vullnetit të mazhorancës, pë të shtrenguar darën e ligjit” shtoi Noka.
I pyetur nga mediat për nismën e opozitës për të ngritur struktura për monitorimin e zgjedhjeve, Noka i cilësoi këtë nismë si të turpshme dhe paramilitare. “Nuk dua të bëj kometne për struktura të tilla ilegale. Është e turpshme që sot të ekzistojë forca politike që do operohet me operacioni zgjedhore paramilitare. Kjo është strategji për të njollosur demokracinë në Shqipëri” tha Noka.