E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret, MM: Vijojnë aksionet për shuarjen e vatrave

Forcat e Armatosura vazhdojnë aksionin për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve që kanë rënë në disa qarqe të vendit. Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Mbrojtjes thekson se gjatë ditës së sotme në këtë aksion të madh janë përfshirë 337 forca, 19 mjete dhe një helikopter i Bazës Ajrore në Farkë.
 

“Forcat dhe mjetet e ushtrisë janë përfshirë pothuajse në të gjitha zonat e prekura nga zjarri, ku më të përqëndruara janë në zonat më problematike në qarkun e Tiranës, të Korçës, të Dibrës dhe të Shkodrës. Është për t`u theksuar fakti që forcat e ushtrisë po operojnë me një angazhim maksimal dhe po përballen me një terren mjaft të vështirë malor dhe me kushte favorizuese për përhapjen e zjarrit” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Më konkretisht gjatë ditës së sotme forcat dhe mjetet e FA janë të angazhuara si më poshtë:

Në qarkun e Tiranës, në komunën Dajt dhe në Malin e Dajtit janë angazhuar 100 forca dhe 5 mjete të Forcës Tokësore, si dhe 20 forca dhe një mjet i ASNI-së, të cilët po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit në këtë rajon. Vëmendje e veçantë vazhdon t`i kushtohet izolimit dhe shuarjes së vatrave të zjarrit në zonën përreth bllokut të antenave në Malin e Dajtit.

Në qarkun e Shkodrës, forcat e ushtrisë po operojnë në rrethin e Pukës, komuna Qafë e Malit dhe Iballë, ku janë të angazhuar 110 trupa dhe 4 mjete të Batalionit të Këmbësorisë Malore të Vaut të Dejës, të cilët vijojnë të punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit në këtë rajon.

Në qarkun e Korçës, vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë Parkun e Bozdovecit. Në këtë operacion janë të angazhuara 117 trupa dhe 7 mjete të Batalionit të Poshnjes në Berat dhe 20 forca dhe një mjet të Detashmentit të Korçës.

Në qarkun e Dibrës, në komunën Suç, fshati Ballxhai janë angazhuar 30 trupa dhe 2 mjete transporti, të cilët po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit në këtë rajon.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›