E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret rrethojnë shtëpitë, nisin evakuimet në Mirditë

Nënprefekti Pjetri: U izolua dhe një zjarrfikëse, shpëtoi efektivi.

Flakët po u afrohen shtëpive. Pas më shumë se 2 javësh zjarre në të gjithë vendin, ky është alarmi që ka përfshirë banorët e zonave të rrezikuara dhe vendorët. Hektarë të tërë me pyje, ullishte e vreshta janë shkatërruar plotësisht në pamundësi për tu izoluar apo shuar tërësisht. Por, në zonat kur zjarret kanë agravuar, po vihet në rrezik dhe jeta e njerëzve. Një alarm ka ardhur mbrëmë nga fshati Malaj i Epërm në Bashkinë e Rrëshenit. Katër shtëpi dhe një makinë zjarrfikëse mbetën të izoluara mes flakësh. Sipas nënprefektit Gjon Pjetri, një prej mjeteve zjarrfikëse arriti të dalë nga rrethimi i zjarrit në zonën kufi me komunën Orosh dhe Bashkinë e Rrëshenit, ndërsa tjetra bashkë me efektiva mbeti në mes të flakëve. Pjetri pohoi se rreth mesnatës efektivat dolën nga zona e rrezikut, duke iu bashkuar në aksion për izolimin e flakëve qindrave forcave në terren. Banorë, punonjës të Policisë, të Pyjeve dhe vendorë kanë qenë në vendngjarje. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë mbërritën mbrëmë për të evakuuar familjarët e 4 banesave që rrezikonin djegien. Nga ana e tij, nënprefekti bëri apel për ndërhyrje nga ajri, por kjo mund të realizohet vetëm në orët e para të ditës së sotme, si e vetmja rruga për të bllokuar zgjerimin e mëtejshëm të flakëve. Me intensitet të plotë ka funksionuar helikopteri turk i vënë në dispozicion të Ministrisë së Brendshme për shuarjen e flakëve. Ai ka operuar dje në lartësinë e Priskës, në zonën e Tiranës, duke arritur të izolojë flakët dhe për të lehtësuar veprimet nga toka. Sot, misioni do të vazhdojë në zonat në Veri dhe Verilindje të vendit, ndër më problematiket që pas nisjes së zjarreve masive. Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 31 vatra aktive zjarresh, ku Veriu i vendit dhe pjesa Juglindore kanë qenë më problematiket. Ende nuk ka të dhëna mbi sipërfaqen e djegur, ato pritet të dalin pas shuarjes së plotë të flakëve.

Vatrat e zjarrit në vend
Qarku Dibër: 7 vatra

në Parkun Kombëtar Lurë, në Kacni, në Qafë-Murrë, në malin Skënderbeg, në Dhoks Bulqizë, në fshatin Dragu, komuna Fushë-Bulqizë, në FushëStuden, në Lenë Martanesh, në Qafën e Ulëzës

Qarku Elbasan: 1 vatër
në fshatin Gramsh fshat të Komunës Pishaj

Qarku Kukës: 7 vatra
në Qafë Komi, komuna Tërthore, në Kojen e Geg-Hysenit, komuna Fierzë dhe komunën Lekbibaj, zona Nikaj-Mërtur, në Liqenin e Ponarëve, në komunën Bujan

Qarku Korçë: 2 vatra
në Parkun Kombëtar të Bozdovecit dhe në Voskopojë

Qarku Lezhë: 4 vatra
në fshatin Lufaj dhe Valmohe, në vendin e quajtur Fusha e Lugjeve, në Kulme, fshati Bulçarrë, komuna Orosh; në Malajn e  Epërm, në komunën Ungrej dhe në fshatin Shënmri

Qarku Shkodër: 10 vatra
në Ndërlysaj, në komunën Kelmend, në komunën Kastrat, në Shkrel; në Pukë në malin e Krrabit në Mide, në fshatin Orosh dhe në Kryezi, në fshatin Livadhe të Priftit, në Qafë Shari, në Flet, Kryezi, Livadhe të Hamzit, në Qerret, Berishë Epër, Millë dhe në afërsi të liqenit në Pukë

NASA, foto satelitore mbi zjarret në Shqipëri, Veriu në rrezik
Fiksohet nga hapësira përqendrimi i vatrave
.
Zjarret e ditëve të fundit në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri, kanë qenë objekt edhe i agjencisë hapësinore amerikane NASA. Aparaturat e saj kanë mundur të fiksojnë foto satelitore mbi zonat ku ka pasur përqendrim të vatrave të zjarrit në këto ditë. Siç vihet re nga këto foto, përqendrim të zjarreve ka kryesisht në zonën nga Lindja, Verilindja dhe Veriu u vendit, ndërsa vatra të tjera, më të shpërndara, ka në Juglindje dhe në Jugperëndim të vendit. Sipas raportimit në faqen online të Agjencisë Hapësinore, bëhet e ditur se përhapja e madhe e flakëve të zjarrit po realizohet falë motit të thatë dhe erërave të forta. Më shumë se 148 hektarë vreshta dhe ullishte raportohen të djegura nga flakët e zjarrit. Konsiderohet e vështirë ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe nga terreni tejet i vështirë. Flakët po rrezikojnë dhe shtëpitë në 2 fshatra në pjesën e Veriut, duke nxitur evakuimin e banorëve. Duke cituar dhe Ministrinë e Mjedisit në Shqipëri theksohet fakti se pjesa më e madhe e zjarreve kanë qenë të qëllimshëm, për pastrimin e sipërfaqeve të kullotave.

Pamje satelitore nga zjarret në Shqipëri

SHKODER
Shefi i Emergjencave Civile të qarkut Shkodër, Pëllumb Dani, tha dje se në këtë qark janë ende 18 vatra zjarri, 10 prej të cilave aktive. Gjysma e tyre janë në rrethin e Pukës, ku në disa zona, terreni në një lartësi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit bën të domosdoshme ndërhyrjen nga ajri. Ndër vatrat aktive, më problematikja është ajo që ndodhet në malin e Krrabit në majën e Midës, ku ndodhen edhe antenat e përforcuesve satelitorë, si të sinjaleve televizive, të kompanive celulare, por edhe të radiove të Policisë dhe të Ushtrisë, me anë të të cilave bëhet ndërlidhja e kësaj zone me pjesën tjetër të vendit.

Korçë, prefekti: Nën flakë zonat turistike
Arrestohen dy vëllezër, dyshohen për zjarrin në Voskopojë
KORÇE Arrestohen zjarrvënësit e Voskopojës. Dy vëllezër janë vënë në pranga nga Policia e Korçës, pasi akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme në këtë zonë. Sipas të dhënave të Policisë, vëllezërit barinj, Gjergji dhe Ilia Nani, përkatësisht 38 dhe 23 vjeç, i kanë vënë flakën një sipërfaqe kullote, pa menduar përmasat që do të merrnin flakët. Veç Voskopojës, vazhdojnë të jenë aktive dhe flakët në Parkun Kombëtar të Bozdovecit dhe Dardhës. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri, aty vijojnë të digjen sipërfaqe të mëdha pyjesh. Gjatë një konference për shtyp, prefekti i Korçës Andrea Mano deklaroi dje se situata është alarmante, pasi vetëm në Bozdovec zjarri ka djegur rreth 70 hektarë bredha, kundrejt sipërfaqes totale prej 110 hektarësh të këtij pylli, ndërsa vatrat e tjera vijojnë të jenë aktive. Mano tha se zjarret janë vendosur njëherazi në të tria zonat turistike, përkatësisht në Voskopojë, Dardhë dhe Bozdovec, ndërsa apeloi institucionet përgjegjëse të gjejnë përgjegjësit që shkatërruan këto masive pyjore.        dh.d

GJERGJ FIGURI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›