Burgaj mbledh krerët e Policisë së Tiranës: Vlerësoni çdo telefonatë

Burgaj në takimin e djeshëm
TIRANE – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, u kërkoi dje shefave të Policisë së kryeqytetit që të koordinohet më mirë puna ndërmjet shërbimeve të Policisë në terren. Në një mbledhje që zgjati disa orë, në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, Burgaj kërkoi nga vartësit e tij një angazhim dhe vlerësim maksimal për çdo denoncim dhe telefonatë të qytetarëve për shqetësimet që ata kanë. Në mënyrë të veçantë Burgaj u ndal te përmirësimi i etikës së komunikimit të punonjësve të Policisë me qytetarin, duke kërkuar dhe vlerësimin e evidentimin e çdo shqetësimi të ngritur prej tyre, si dhe sqarimin e tyre për çdo problem që mund tu drejtohen strukturave të Policisë. Në asnjë rast nuk duhet të ketë nënvlerësime të telefonatave të mbërritura në Sallën Operative, por duhet një shërbim i shpejtë dhe efikas, pasi në të kundërt impakti te qytetarët do jetë negativ, duke ndikuar dhe te besimi i tij në strukturat e Policisë. Shërbimi i Sallës Operative dhe strukturat e Policisë në terren duhet të evidentojnë çdo shqetësim të qytetarëve, duke marrë dhe masa të menjëhershme për zgjidhjen e tyre, u shpreh Burgaj. Njëkohësisht ai u kërkoi drejtuesve të Policisë së Tiranës që të identifikojnë ata punonjës policie, të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk janë të përshtatshëm për organizatën e Policisë së Shtetit, duke marrë dhe masa ndaj tyre në bazë të Rregullores së Disiplinës. Këto elemente hedhin poshtë punën e shumë punonjësve të tjerë, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në punën e tyre, u shpreh Burgaj. Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar drejtuesve e shefave të Komisariateve të Tiranës një analizë të detajuar për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë këtij muaji. Burime të rezervuara nga të pranishmit në këtë takim thanë se nuk munguan edhe kritikat dhe tonet e ashpra për situatën aktuale dhe një plan masash i detajuar për parandalimin e ngjarjeve dhe jo vetëm pasi ato të ndodhin. Në përfundim të këtij takimi, Burgaj falënderoi strukturat e Policisë së Tiranës për punën, kontributin e dhënë dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë aktivitetit të ngjeshur me të cilin përballen këto struktura, çdo 24 orë, për garantimin e sigurisë në kryeqytet.
Reagimi ndaj krimit
Shpejtësia e reagimit dhe ndjekja e problemit deri në zgjidhjen e plotë të tij janë elemente thelbësore për një shërbim sa më efikas ndaj qytetarit dhe pa dyshim që në punën e strukturave të Policisë së Shtetit jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin mbizotëron përgjegjësi, gatishmëri, etikë komunikimi dhe profesionalizëm në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve, ndërkohë që për çdo shkelje të evidentuar ndaj përgjegjësve do të merren masat e parashikuara në aktet normative.