Zvicra i dhuron lirinë Roman Polanskit
Zvicra ka hedhur poshtë kërkesën e SHBA-së për ekstradimin e regjisorit të famshëm franko-polak, Roman Polanski. “Regjisori 76-vjeçar franko-polak, Roman Polanski, nuk do të ekstradohet në SHBA. Të gjitha masat shtrënguese për lirinë e tij të plotë janë shfuqizuar”, tha për mediat ministri zviceran i Drejtësisë. Më në fund ka përfunduar odiseja e gjatë e vuajtjeve për regjisorin e famshëm. “Nuk u gjet asnjë arsye për ta bërë këtë në kërkesën e SHBA-së për ekstradim”, thuhet në komunikatë. Regjisori 76-vjeçar është ndaluar në shtatorin e vitit 2009 në aeroportin e Zyrihut mbi bazën e një mandat arresti, ku SHBA-ja e akuzonte për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një të mitur 13-vjeçare në vitin 1977. Në pritje të ekstradimit, Polanski ndodhej në arrest shtëpie në Gstaad të Zvicrës. "Roman Polanski nuk do të kishte vendosur të merrte pjesë në shtatorin e vitit 2009 në Festivalin Filmit në Zyrih nëse do mendonte se udhëtimi përbënte rrezik për të”, thuhej në komunikatë. Ndërkaq, avokati francez i regjisorit, George Kiejman, tha se ishte shumë i kënaqur për vendimin e autoriteteve të drejtësisë zvicerane. “Jam i kënaqur dhe i prekur, sepse Roman ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh për të arritur deri këtu. Shpresoj që keqkuptimi me autoritetet amerikane të zgjidhet sa më shpejt”, tha ai për agjencinë “France Press”. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë amerikane nuk ka lëshuar asnjë koment pas refuzimit të Zvicrës për ekstradimin.
#