Zjarri në ndërtesë bllokon punën e Komisionit Europian
BRUKSEL – Zjarri i rënë dje në zyrat qendrore të Komisionit Europian ka pezulluar punën e qindra e mijëra ekspertëve dhe drejtuesve të lartë të BE-së, të cilët janë larguar menjëherë nga paniku. Mes të zhvendosurve ka qenë edhe kreu I Komisionit, Barroso. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se rreth orës 13.20 janë regjistruar shenjat e para të flakëve në katet e 13 dhe të 14-të. Sipas tyre, asnjë person nuk është lënduar apo intoksikuar pas zjarrit. Zëdhënësi i zjarrfikësve u shpreh se ende nuk njiheshin shkaqet e zjarrit. Ndërsa zëdhënësi i policisë së Brukselit deklaroi se nuk kishte asnjë informacion për ndonjë akt të mundshëm kriminal. Një zyrtar i shërbimit të sigurisë së selisë së Komisionit Evropian deklaroi se ndërtesa do të qëndrojë e mbyllur deri nesër. Edhe zyra qendrore e shtypit e Komisionit Europian ndërpreu aktivitetin e saj, duke përfshirë edhe transmetimet në rrjetin EBS. Pikërisht dje pasdite pritej të zhvillohej në godinën e përfshirë nga flakët edhe takimi mes delegacionit të qeverisë shqiptare dhe atij të Komisionit Europian, në kuadër të negociatave të radhës mes dy palëve.
Kjo ngjarje shënon rastin e parë në ndërtesën qendrore të Komisionit Europian në të cilën punojnë krerët më të lartë të BE-së, si dhe ekspertët e 27 vendeve anëtare.
19 Maj 2009