Zjarri, nga shkëndija elektrike, shkrumbon një banesë
Një zjarr, i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, siç thuhet paraprakisht nga burime të policisë lokale, ka shkatërruar plotësisht banesën e shtetasit Qamil Peka, në Krumë. Zjarri ka rënë rreth orës 10:00 të paradites së të mërkurës dhe për dy orë nuk kanë munduar ta shuajnë as familjarët dhe as ndihma e zjarrfikëses së qytetit. Banesa ndodhej në hyrje të qytetit të Krumës në lagjen informale, ku mungon një rrugëkalim për automjetet e mëdha siç është zjarrfikësja. Burime të policisë lokale tregojnë se për shuarjen e zjarrit kanë kontribuar edhe një numër banorësh, të cilët kishin shembur disa mure rrethuese për t‘i mundësuar afrimin zjarrfikëses. "Ne bëmë të mundur të paktën lokalizimin e zjarrit, duke shpëtuar një numër banesash që ndodheshin ngjitur me atë të Pekës", tha një efektiv i zjarrfikëses. Dëmi llogaritet në rreth 20 milionë lekë të vjetër, ndërsa asnjë prej familjarëve nuk është lënduar. Gjatë periudhës së këtij viti, ky është rasti i tretë i zjarrit në Has. Muaj më herët, në Golaj, zjarri që kishte përfshirë një banesë dykatëshe, i mori jetën edhe një fëmije, i cili vdiq nga asfiksimi prej tymit.