E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri shkrumbon magazinat e firmës së hekurit

Një zjarr i fuqishëm ka djegur mëngjesin e djeshëm magazinat e një firme hekuri në dalje të qytetit të Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.30 të së premtes, kur një nga magazinat e firmës së hekurit, "Sidenor", është vënë në flakë papritur, ndërsa kanë qenë punëtorët që kanë identifikuar menjëherë vatrën e zjarrit dhe kanë dalë me shpejtësi nga ambientet e brendshme. Magazina ku ka rënë zjarri ndodhet buzë rrugës nacionale Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Bulgarec. Dy magazina afër njëra-tjetrës janë përfshirë menjëherë nga flakët e fuqishme të zjarrit që janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga materialet që ndodheshin në afërsi të vatrës. Kanë qenë punëtorë të firmës, por edhe banorë të fshatrave në afërsi të rrugës që kanë ndërhyrë të parët për të bërë të mundur fikjen e zjarrit dhe nxjerrjen e materialeve lehtësisht të djegshme nga mjediset e magazinës. Pas rënies së zjarrit, dëshmitarët kanë ndërhyrë për të ndërprerë edhe energjinë elektrike, duke marrë masat e para kundër përhapjes së shpejtë të tij edhe në ndërtesat e tjera në afërsi. Flakët kanë djegur plotësisht magazinën, ndërsa zjarri është ndihmuar edhe nga fakti se në ambientet e brendshme ka pasur felizol dhe goma makinash që kanë favorizuar përhapjen e zjarrit. Katër mjete zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje disa minuta pas njoftimit për zjarrin dhe kanë bërë të mundur fikjen e tij. Brenda pak minutash situata është vënë nën kontroll nga ana e zjarrfikësve që kanë ndërhyrë në të dyja ambientet e përfshira nga flakët. Burimet e policisë lokale bëjnë të ditur se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Ka qenë një llambë e ndezur që pasi ka plasur, ka krijuar një shkëndijë që ka vënë objektin në flakë. Zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke shkrumbuar magazinën qendrore të firmës në pjesën e pasme të saj. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare, flakët e zjarrit shpërthyen dje paradite edhe në një garazh makinash në periferi të kryeqytetit, në Allias, duke djegur brenda pak minutave një automjet tip "Benz Mercedez". Banorët e zonës, të alarmuar nga frika se zjarri mund të përfshinte edhe banesat aty rrotull, lajmëruan policinë dhe shërbimin e zjarrfikëseve, të cilat mbërritën dhe ndërhynë urgjentisht në vendngjarje. Zjarrfikëset mundën për pak minuta të izolojnë flakët që kërcënuan banesat pranë garazhit, si edhe shpëtuan automjetet e tjera që ndodheshin të parkuara në zonën e flakëve. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për shkaqet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›