E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, dëshmitarja zbardh detajet e skenarit të vrasjes së Marsel Sotirit



Laureta Rryçi

Dëshmitarja e mbrojtur nga Drejtësia, që ruhej si Asi nën mëngë, zbardhi dje një skenar gati-gati të denjë për një film triller hollivudjan. Valbona Jaho, edhe pse në fillim nuk ka qenë dhe aq e qartë me dëshminë e saj, ka rrëfyer kurthin që fshihej pas dashurisë së shtirur me Marsel Sotirin. Seanca e radhës për procesin e bandës së Durrësit fillimisht vijoi dje me disa deklarime të Genta Jahos. Kjo e fundit u pyet nga avokatët për disa nga çështjet që dëshmoi një javë më parë. Më pas në sallë është paraqitur e motra e saj, Valbona, e cila, pas të penduarit Adriatik Coli mbetet dëshmitarja kryesore e Akuzës për këtë proces të bujshëm. Bukuroshja nga Skrapari ka qenë gjatë gjithë kohës e shoqëruar nga një grua që ishte punonjëse e Ministrisë së Brendshme. Burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda sqaruan dje për gazetën “Albania” se seanca e radhës në procesin e bandës së Durrësit, edhe pse ka zgjatur disa orë, për shkak të përplasjeve mes palëve, sërish nuk është arritur të përfundohej dëshmia e Jahos. Ndërsa ora kishte kaluar mesditën, palët kanë rënë dakord që dëshmia e Jahos të vijojë edhe gjatë seancës që do të zhvillohet të hënën.
Në seancën e ardhshme dëshmitarja do të sqarojë momentin e rrëmbimit, kohën kur u shfrytëzua si prostitutë nga anëtarët e bandës, si dhe kërcënimet që iu bënë nga anëtarët e bandës.

Seanca
Valbona Jaho, vajza simpatike që përflitet prej kohësh si një nga dëshmitaret kryesore kundër bandës së Durrësit, u paraqit dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda vetëm pak çaste para nisjes së seancës gjyqësore. Vajza që mban edhe statusin e dëshmitares së Drejtësisë ishte në shoqërinë e një punonjëseje të Ministrisë së Brendshme. Për shkak të statusit të saj, Gjykata vendosi që dëshmia të jepej pa praninë e mediave, por vetëm me prezencën e palëve në proces. Dëshmitares fillimisht iu desh të priste deklarimet e motrës së saj. Sipas disa avokatëve, në fillim dëshmitarja nuk ka deklaruar ndonjë emër konkret, aq sa kanë menduar se dëshmia do të jepej në favor të të pandehurve. Mirëpo në pjesën e dytë të dëshmisë së saj duket se Jahos i është rikthyer kujtesa dhe ka nisur rrëfimin e saj mbi vrasjen e Marsel Sotirit.
Rrëfimi
Valbona Jaho, vajza që u përdor si karrem për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin, është pyetur për disa orë rresht nga prokuroria për njohjen e saj me Klodian Saliun dhe për detaje të vrasjes së Marsel Sotirit. Para se Valbona t’u përgjigjej pyetjeve të Akuzës me cilësinë e dëshmitares së mbrojtur nga Drejtësia, motra e saj, Genta, e cila ka tentuar të bëjë padi kundër të pandehurve, u ka kthyer përgjigje pyetjeve të avokatëve mbrojtës. Ndërkohë që në qendër të seancës ka qenë dëshmitarja Valbona Jaho, e cila është përdorur si prostitutë nga anëtarë të grupit në Itali, si dhe është mbajtur peng për disa kohë pas vrasjes së Marsel Sotirit, për t’i bërë presion me qëllim që ajo të mos dëshmonte për çfarë ka parë dhe ç’është urdhëruar. Gjatë dëshmisë nuk ka përmendur emrat e atyre që qëlluan mbi Marsel Sotirin, por ka shpjeguar se ishin Klodian Saliu dhe Indrit Taullai ata që e çuan në atë kurth. Ka qenë disa metra larg kur është ekzekutuar Sotiri. “Mua më thanë të takohesha me Marsel Sotirin, dhe ashtu bëra. Klodiani me Indritin më dhanë fotografinë e tij për ta zënë të dashur. Më treguan që ai rrinte shpesh në një vend pranë plazhit. Ditën e parë shkuam dhe nuk e gjetëm, ndërsa ditën e dytë ai ishte atje. Fillimisht kemi shkëmbyer shikime, më pas ai na ndoqi me makinën e tij tip ‘Audi’. Nuk na u desh shumë për të shkëmbyer numrat e telefonit dhe për t’u zënë të dashur”. Kështu e ka përshkruar momentin e njohjes me viktimën dëshmitarja Jaho. Sipas dëshmisë së saj, pas asaj dite ajo takohej shpesh me Sotirin duke pirë dhjetëra kafe edhe me miqtë e tij. Nga ana tjetër, për të gjitha lëvizjet i kalonte informacionin Saliut dhe Taullajt. “Ditën e vrasjes unë isha me motrën, Gentën, në lokal. Dola për të takuar Marselin në makinën e tij, ndërsa motra qëndroi në lokal. Qëndrova pak në makinë dhe ai doli të më përcillte. Sapo jam ndarë me të takova motrën te porta e lokalit dhe dëgjova krisma”, - është shprehur Valbona. Pasi ka sqaruar këto momente seanca është shtyrë për ta pyetur edhe një herë të hënën në lidhje me mbajtjen peng të saj dhe dërgimin në Itali për të punuar si prostitutë.

Dëshmitarja Genta Jaho: “Motra ime i ngriti pritë Marsel Sotirit”

Një seancë më parë, në procesin e bandës së Durrësit dha pjesën e parë të dëshmisë Genta Jaho, e motra e Valbona Jahos. Dëshmitarja Genta Jaho rrëfeu si u përdor e motra, Valbona, për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin. Për disa orë rresht ajo dëshmoi me dyer të mbyllura para të pandehurve. Ndërkohë që është cilësuar dëshmitare e mbrojtur e Drejtësisë. Sipas burimeve nga brenda sallës, Jaho ka drejtuar gishtin tek i pandehuri Indrit Taullai, duke e akuzuar për rrëmbimin e motrës dhe përdorimin e saj si karrem për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin. Vajza me origjinë nga Skrapari është shprehur se Taullai jo vetëm i ka marrë motrën, por edhe e ka kërcënuar se do ta vriste nëse bënte kallëzim në polici. Valbona Jaho ka qenë e dashura e Klodian Saliut. Ky i fundit, tashmë viktimë, edhe pse të dashurën e tij nuk ngurroi ta dërgonte te Marsel Sotiri së bashku me motrën. Madje ai e porositi që të bëhej e dashura e Marsel Sotirit duke qëndruar disa ditë me të në një shtëpi të marrë me qira në plazh. Me vete Valbona Jaho ka pasur edhe foton e Marsel Sotirit, që ia dha Saliu. Ditën e ngjarjes, Valbona Jaho ka qenë së bashku me motrën e Lulzim Berishës në kafe, ndërsa është përgatitur terreni. Sipas burimeve, Valbona ka pirë kafe me Marsel Sotirin dhe sa është larguar prej tij 100 metra larg ka dëgjuar të shtëna. Pas këtij momenti Indrit Taullai e ka marrë peng dhe e ka kërcënuar me vdekje nëse tregonte çfarë ndodhi. Dëshmitarja ka pohuar dje gjithçka që tha një seancë më parë ish- oficeri i SHISH-it për Durrësin, Albert Strati. Nuk ka ndryshuar gjë nga thëniet. Është shprehur se ka vajtur për të bërë kallëzim, por më pas është tërhequr, pasi Indrit Taullai, në prani edhe të Nard Kokës, e ka kërcënuar. Emri i Genta Jahos është përmendur edhe gjatë dëshmisë së një ish-inspektori policie në Durrës, Albert Strati. Ai ka dëshmuar se rreth 2001-shit ka kontaktuar me një vajzë me emrin Genta Jaho, e cila kërkonte të bënte kallëzim penal ndaj dy shtetasve, Klodian Saliu i vrarë në 2005-n si kapo i bandës së Durrësit dhe ndaj Indrid Taullahut, i cili aktualisht është i pandehur në këtë proces. Vajza, sipas inspektorit, dyshonte se motra e saj ishte marrë peng nga anëtarë të bandës. Ndërkohë, gjykata është në pritje të dëshmisë tjetër po kaq të rëndësishme për procesin, dëshmisë së Valbona Jahos. Mbi të pandehurit e së ashtuquajturës banda e Durrësit rëndojnë akuzat për 8 vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe disa tentativa vrasjeje apo atentate.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›