Zjarri te 5 Maji shkak nje shkendije elektrike

Një shkëndijë elektrike dyshohet të jetë shkaku për zjarrin që shkrumboi dhe ktheu në skrap punishten me vlerë mbi 500 mijë dollarë amerikanë të përpunimit të drurit dhe prodhimit të mobilerive në rrugën “5 Maji” në Tiranë.
Ekspertë të zjarrfikësve dhe oficerë të hetimit të Komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës, vijuan ekspertizat deri në mesditë për sqarimin e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Zjarri i rënë mbrëmjen e të shtunës mobilizoi veç shërbimeve zjarrëfikëse të Tiranës, edhe shërbimet zjarrfikëse të Fushë-Krujës, Portit të Durrësit dhe Ushtrisë.
Flakët arritën një lartësi mbi 10 metra ndërsa lëndë e parë si ajo drusore apo lëndët kimike që përdoreshin në punishte e vështirësonin së tepërmi shuarjen e flakëve. Edhe gjatë mesditës së të dielës vatrat e zjarrit vazhdonin të ishin të aktivizuara nga brenda, por pa paraqitur rrezikshmëri.
Fatmirësisht situata e rëndë e zjarrit nuk shkaktoi viktima në njerëz, ndërsa një i afërm i pronarit të fabrikës i cili u dërgua me autoambulancë për ndihmë mjekësore në spital, gjatë paradites së të dielës kishte dalë dhe e kishte tejkaluar plotësisht problemin shëndetësor.
Ndërsa banorët e shtëpive ngjitur me punishten ndihen më të lehtësuar pas shuarjes së flakëve dhe me disa dëme të vogla kryesisht në xhamat e dritareve.
Ndonëse raporti përfundimtar i hetimeve nuk ka dalë ende sa më shumë orë kalonin aq më tepër pistat e hetimit afroheshin me atë të një shkëndije elektrike në pjesën perëndimore të repartit të përpunimit të drurit.