Kujdes kur plotesoni Formularin A2

Me marrjen e rezultateve të provimeve të maturës dhe publikimit të Formularit A2 ku janë listuar rreth 303 programe studimi në të gjithë universitetet e vendit, 13 më shumë se një vit më parë bashke me kodet përkatëse maturantët kanë më tepër mundësi të përllogarisin ku kanë më shumë shanse për të vazhduar studimet e larta.
Por çfarë duhet të kenë parasysh kandidatët për studentët që mos të gabojnë ndërsa plotësojnë Formularin A2?
Ndodh shpesh që maturanti të mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij, por ai shpallet fitues në preferencën më të lartë të këtij grupi, prandaj specialistët e arsimit këshillojnë që renditja e degëve të nisë me ato më të parapëlqyerat.
Për një përllogaritje më të saktë specialistët sugjerojnë të masni forcat duke krahasuar pikët e grumbulluara me pikët e fituesit të fundit në 4-5 vitet paraardhëse për secilin program studimi të përzgjedhur, të cilat mund të gjendet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit.
Gjatë plotësimit të formularit të shihet me kujdes programi i studimit pasi përkrah tij shënohet filiali ku zhvillohen studimet, kohëzgjatja e tyre apo të tjera detaje.
Për herë të parë këtë vit, disa nga programet e studimit në Universitetin e Durrësit, si: Menaxhim i Bankave, Menaxhim Hoteleri Turizëm, Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Multimedia dhe Teknologji Informacioni do të zhvillohen në gjuhën angleze.
Ministria e Arsimit bën të ditur se Formulari A2 do të nis të plotësohet nga data 25 korrik deri më 2 gusht.