E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e furnizimit me medikamente, Godo: Zgjidhet në 2009-ën



Kuli: QSUT-ja ka medikamentet bazë, por problematik mbetet prokurimi i kiteve dhe reagentëve

Furnizimi me medikamente i spitaleve të vendit vazhdon të mbetet problematik. Edhe për gjatë këtij muaji të fundvitit situata nuk pritet të pësojë ndryshime. Për ministren e Shëndetësisë zgjidhja e vetme që do ti jepte fund krizës së medikamenteve është implementimi i reformës spitalore në 2009. Nga qyteti i Korçës ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka përcjellë këtë mesazh, duke shtuar se “reforma që do të nisë në janar të 2009-ës, do të zgjidhë përfundimisht problemin e mungesës së medikamenteve dhe kujdesit shëndetësor në spitale”.

Korçë

Gjatë një vizite në spitalin rajonal të Korçës, në prag të reformës spitalore që do të fillojë nga muaji janar i vitit të ardhshëm, ministrja Godo theksoi akoma më shumë idenë se do të vazhdojë të ketë të drejtën e prokurimit për investimet dhe pajisjet e mëdha, ndërkohë që spitalet do të menaxhojnë vetë financimet që do t'u kalojnë për prioritetet e tyre.

Ministrja nënvizoi se me këtë reformë që do të ndërmerret në shëndetësi, do të kontrollohet çdo lloj aktiviteti lëvizjeje financiare në mënyrë që deri në fund të vitit të mos ndihen mungesa medikamentesh mjekësore në spitale.

Kuli

Tjetër panoramë ka paraqitur drejtorja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Gjeorgjina Kuli. Ajo ka pohuar se në spitalin universitar nuk është edhe aq problematik furnizimi me medikamente, pasi në të gjitha klinikat janë çuar medikamentet bazë për realizimin e një aktiviteti normal. Por ajo nuk mohon se mund të ketë mungesë të vogël tek-tuk. “Kjo ka të bëjë më tepër me procedurat formale në lidhje me lëvrimin e kontratave që kërkojnë respektimin e afateve kohore dhe se i vetmi problem që mbetet aktualisht për zgjidhje, është lëvrimi i kontratave për kite dhe reagentë, të cilat janë lidhur, por nuk janë lëvruar plotësisht. Kemi disa pengesa në lidhje me kryerjen e të gjitha ekzaminimeve të mundshme, por mendoj se brenda dhjetorit dhe ky problem do të kapërcehet”, -është shprehur Kuli.

2009-a

Për vitin e ardhshëm, prioriteti bazë i Ministrisë së Shëndetësisë është furnizimi me medikamente. Pastaj, të gjitha anët e tjera, shpenzimet e tjera operative, janë sekondare. Në QSUT është ngritur një grup pune, të cilët po punojnë në përmirësimin e listave, në mënyrë që listat e medikamenteve të përgatitura të përpunohen në mënyrë aktive dhe në bashkëpunim me kërkesat e shefave të shërbimit, në bashkëpunim me mendimin bashkëkohor, në lidhje me shumë diagnoza.

Listat e reja do të jenë sa më efektive, sa më të realizueshme, të kryejnë 100 për qind shërbimin ndaj pacientëve dhe të mos krijojmë stoqe në medikamente në farmacitë e spitaleve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›