Tiranë, vajza e zhdukur s`pranon kthimin në shtëpi
• TIRANE - Policia ka zbardhur shkaqet e largimit nga banesa të vajzës 17-vjeçare me iniciale E.R., banues në periferi të Tiranës."Në lidhje me denoncimin e bërë pranë Komisariatit të policisë nr.4 Tiranë nga familjarët për largimin nga banesa të shtetases E.R., 17 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë ditës së djeshme u mundësua gjetja dhe sqarimi i të gjitha rrethanave të largimit të saj nga banesa", tha policia. Sipas saj, gjatë deklarimeve të saj para oficerëve gjyqësorë të marra në prezencë të psikologes, ndër të tjera vajza sqaroi se shkaku i largimit të saj nga banesa ishte keqtrajtimi i vazhdueshëm i babait dhe motrës së saj. Ngjarja është hetuar nga Seksioni i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje. Oficerët e këtij sektori kanë bërë të mundur sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe strehimin e vajzës së dëmtuar në një qendër sociale deri në vendimin e dhënë nga gjykata. Për tri ditë vajza ka qëndruar larg banesës së saj, ndërsa pas denoncimit të bërë nga familjarët policia arrti të gjente vajzën, e cila nuk pranoi të kthehej në shtëpi, pasi keqtrajtohej nga babai i saj.