E Diel, 1 Nëntor 2026

Zogaj: PD e meriton një mandat të dytë, garanci për fitoren arritjet e qeverisë

Intervistë e posaçme e deputetit demokrat Preç Zogaj, kryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar “PD-ja ka filluar takimet me një frymë pozitive debati. Reflektohet një lloj ngrirjeje apo momente te cilat tregojnë se janë akumuluar probleme. Pasi PD-ja duke qenë në qeverisje u ka kushtuar më tepër vëmendje problemeve qeverisëse sesa partiake. Këto probleme po trajtohen me një debat pozitiv. Kjo gjë i bën mirë PD-së sepse i jep më tepër frymëmarrje diskutimit. Në këtë mënyrë do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda partisë, do të flasin të gjithë dhe të kandidojnë më shumë se dy kandidatë në të gjitha nivelet. Këto zgjedhje do të zgjerojnë radhët e partisë dhe do ta bëjnë më demokratike dhe të bashkuar PD-në. Çelësi i bashkimit është korrektësia e zgjedhjeve” Preç Zogaj, kryetari i Komisionit të Jashtëm Parlamentar në një intervistë ekskluzive për gazetën “55” flet për avantazhet e sistemit të ri elektoral, përgatitjet parazgjedhore të PD-së dhe koalicionit të djathtë. Gjithashtu e vendos theksin edhe tek arritjet e qeverisjes në këto vite ku është realizuar një mbajtje e premtimeve të programit të vitit 2005. “Arritjet e qeverisjes së PD-së janë të shumta dhe qeveria ka ecur në vijat e programit të vitit 2005. Kjo është themelore për të krijuar kulturën e kontratës politike midis zgjedhësve dhe qeverisë. Niveli i lartë i të ardhurave të grumbulluara nga qeveria tregon se demokracia në Shqipëri është funksionale. Bazuar në këto arritje PD e meriton një mandat të dytë”. Madje, sipas Zogajt, ka fusha të caktuara ku qeveria i ka tejkaluar këto premtime. “Qeveria e PD ka realizuar një sërë projektesh dhe disa prej tyre janë në proces e sipër. Projekti më i rëndësishëm është ai i prodhimit të energjisë elektrike, nismë që nuk është realizuar asnjëherë në vendin tone”, shprehet midis të tjerave deputeti Preç Zogaj. Miratimi i Kodit shënoi edhe përfundimin tërësor të reformës elektorale. Sipas jush, cilat do të jenë avantazhet e sistemit të ri elektoral? Ky sistem do t’i japë hakun gjithsecilit. Dy janë avantazhet kryesore. Së pari, ky sistem nuk krijon hapësira legale për deformimin e votës së zgjedhësve. Kjo është më e rëndësishmja. Së dyti, sistemi i ri është një shartim, përzierje e votës që jepet për subjektin politik dhe votës për personat. Duke qenë një sistem proporcional rajonal dhe jo kombëtar, vërtet votohet për partinë por ruhet parimi i përfaqësimit të deputetëve në qarkun përkatës. Ky sistem i jep fund sëmundjes së zgjedhjeve, fenomenit të Dushkut. Përveç miratimit të Kodit Zgjedhor, si po ecën në tërësi konsolidimi i infrastrukturës zgjedhore? Zgjedhjet e vitit 2009 janë objektiv madhor për vendin, demokracinë dhe integrimin. Politika po përgatitet mirë për këtë sfidë dhe është plotësisht e vetëdijshme për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Fillimisht u miratua sistemi i ri zgjedhor. U miratua Kodi Zgjedhor disa muaj para, në afate optimale që lejojnë zbatimin pikë për pikë. Në janar përgatiten kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Çdo gjë shkon mirë. Në muajt në vazhdim do të ndjekim zbatimin e Kodit. PD-ja ndodhet edhe në një fazë zgjedhjesh brenda vetes. Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të këtij procesi brenda kësaj partie? PD-ja ka filluar takimet me një frymë pozitive debati. Reflektohet një lloj ngrirjeje apo momente te cilat tregojnë se janë akumuluar probleme. Pasi PD-ja duke qenë në qeverisje u ka kushtuar më tepër vëmendje problemeve qeverisëse sesa partiake. Këto probleme po trajtohen me një debat pozitiv. Kjo gjë i bën mirë PD-së sepse i jep më tepër frymëmarrje diskutimit. Në këtë mënyrë do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda partisë, do të flasin të gjithë dhe të kandidojnë më shumë se dy kandidatë në të gjitha nivelet. Këto zgjedhje do të zgjerojnë radhët e partisë dhe do ta bëjnë më demokratike dhe të bashkuar PD-në. Çelësi i bashkimit është korrektësia e zgjedhjeve. Si po funksionon organizimi parazgjedhor i kampit të djathtë, konkretisht, organizimi i koalicionit? Koalicioni është një çështje shumë e rëndësishme. Mundësitë legale janë krijuar. U përket partive që t’i shfrytëzojnë këto mundësi sipas zgjidhjes që do të bëjnë dhe interesave të tyre. Siç dihet PDR-ja është shkrirë me PD-në dhe PD-ja do të jetë në koalicion me PR-në, PLL-në, PBKD, PBK dhe do të zgjerohet ndoshta edhe më tej. Si e vlerësoni punën e qeverisë Berisha në këto vite? Arritjet e qeverisë janë të shumta. Qeveria e PD-së ka ecur në vijat e programit të votuar në vitin 2005. Kjo është themelore për të krijuar kulturën e kontratës politike midis qeverisë dhe zgjedhësve. Në qoftë se do të bëhet një ballafaqim i pikave të programit dhe arritjeve arrihet në përfundimin se jemi në fjalën e mbajtur. Madje ka disa fusha ku kemi shkuar përtej premtimeve. Janë realizuar arritje të mëdha në fushën e politikës së brendshme, me politikat fiskale dhe me grumbullimin e të ardhurave nga sektori i doganave dhe tatim-taksave. Të gjithë njerëzit që punojnë në këtë piramidë të financave kanë merita të mëdha. Na kanë zbardhur faqen të gjithëve. Çelësi është binomi, korrektësi nga njëra anë dhe reformim i sistemit nga ana tjetër. Niveli i lartë i të ardhurave të qeverisë tregon në thelb se demokracia në Shqipëri është funksionale. Autoritarizmi dhe tirania nuk krijojnë dot të ardhura. Niveli i të ardhurave tregon se kemi demokraci dinamike. Duhet të kemi parasysh edhe një moment. Duhet të shpiem drejt kompletimit programin e ri. Bazuar në këto arritje a mendoni se mundësitë e PD-së për fitore në zgjedhjet e ardhshme janë më të mëdha. Fitorja mbështetet në këto arritje. Ne jemi optimistë për fitore. Cikli ynë politik në pushtet po drejtohet një kulmi. Ne kemi nevojë ta mbarojmë këtë cikël. Kemi një numër të madh zgjidhjesh dhe projektesh në proces e sipër. Po ndërmerret një projekt që lidhet me prodhimin e energjisë si asnjëherë në vendin tonë. Në lidhje me prodhimin e energjisë në vitin 2005 ne nuk trashëguam asnjë themel. Edhe shumë projekte në infrastrukturë janë në proces. PD e meriton një mandate të dytë. Por e theksoj se duhen bërë përpjekje për të korrigjuar apo thelluar disa arritje, si lufta kundër korrupsionit. Korrupsioni është si një oktapod, si të notuarit kundër rrymës dhe asnjëherë nuk shpallet solemnisht fitorja. E kemi luftuar korrupsionin për sa i përket informalitetit por ai ka nxjerrë kokë tjetërkund dhe unë e ndjej shqetësimin edhe në zonën time elektorale. Mund të bëhet edhe ndonjë reflektim i ri në qeverisje mbi bazë të një analize më të vëmendshme. Duhet ta kemi të qartë se përkushtimi dhe kapaciteti i kryeministrit apo edhe ministrave të tjerë mjaft të suksesshëm nuk i mbulojnë dot të gjitha defektet e krijuara në dikastere të tjera. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›