Presidenti Topi takohet me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti dje Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Duke vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi vendosmërinë e angazhimin e vendit tonë për zhvillimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Topi shprehu angazhimin e Shqipërisë për konsolidimin e Malit të Zi në rrugën e forcimit të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit, si dhe për integrimin evropian dhe euroatlantik të vendit, si aspirata të përbashkëta të dy vendeve tona mike. Presidenti Topi vlerësoi lart rolin e Presidentit të Malit të Zi si dhe qëndrimin dhe vendimin e qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur besimin se pavarësia e saj i kontribuon krijimit të një klime qëndrueshmërie afatgjatë në rajonin ballkanik. Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç falënderoi për mikpritjen dhe vuri në dukje rëndësinë e këtyre kontakteve, vizitave dhe takimeve reciproke të nivelit të lartë sa i përket ruajtjes dhe fuqizimit të klimës dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve tona dhe të rajonit. Sa i përket vendimit për të njohur pavarësinë e Kosovës, ai theksoi se ky vendim ishte i matur dhe konstruktiv dhe i kontribuon paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon. ...