E Diel, 1 Nëntor 2026

Zogaj: “Pavarësia e Kosovës më shumë se njëvjeçare”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme dhe deputeti i PD-së, Preç Zogaj, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Ballkan” është shprehur se pavarësia e Kosovës është më shumë se njëvjeçare dhe se në harkun kohor të një viti ajo është rritur shumë dhe duket disa vjeçe. Zogaj ka pasqyruar në këtë rrëfim, në ditën e pavarësisë së shtetit më të ri në Ballkan, gjithë hapat që janë bërë nga shteti shqiptar që nga Presidenti, Qeveria, Ministria e Jashtme, Kuvendi, Komisioni i Jashtëm dhe angazhimet e partive politike në lobimin ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pasqyrimin me realitet në vitin 2008 të situatës atje. Deputeti i PD-së ka radhitur gjithashtu edhe objektivat strategjikë të Kosovës në vijim si dhe rrugën që duhet të ndjekë ajo në integrimin e saj të plotë euroatlantik.

Një vit pas pavarësisë së shtetit më të ri Kosovës, çfarë ka ndryshuar për kosovarët dhe shqiptarët në gjithë botën?

Pavarësia e Kosovës, e cila feston njëvjetorin, duket se është më shumë se një vjeçe. Në harkun e një viti është rritur kaq shumë sa duket disavjeçare. Këtu kam parasysh njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 53 shtete, ndërkohë vende të tjera kanë paralajmëruar njohjen e pavarësisë. Dhe në një kohë optimale besojmë se Kosova do të marrë karrigen e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kam parasysh miratimin e Kushtetutës së Kosovës, zbatimin e planit “Ahtisari”, një plan afatgjatë, por fillimin e zbatimit korrekt dhe me cilësi. Kam parasysh vendosjen e EULEKS-it, si një zgjidhje e gjithëpranuar e sugjeruar nga ndërkombëtarët, e pranuar nga faktori politik kosovar dhe me një rëndësi shumë të madhe për stabilitetin në Kosovë. Hapat impresionues që po hedh Kosova në të gjitha fushat, qoftë në atë të rrënjosjes së demokracisë dhe shtetit ligjor, por edhe në fushën e zhvillimit ekonomik, pavarësisht se në këtë fushë akoma ka probleme. Në vitin 2008 Kosova miratoi një buxhet ambicioz për të, duke parë moshën e pavarësisë si dhe potencialet ekonomike, të cilat pritet që të vitalizohen. Natyrisht që ajo është një demokraci e re, një shtet i ri, por një shtet i asistuar, qoftë nga pala ndërkombëtare, por edhe ajo politike vendase.

Çfarë ka bërë politika shqiptare dhe Tirana zyrtare për Kosovën në këtë përvjetor të pavarësisë, duke iu referuar lobimit për njohjen e mëtejshme?

Shqipëria ka lënë gjurmën e vet në gjithë procesin e njohjes të pavarësisë së Kosovës. Diplomacia jonë e ka temë qendrore në axhendën e vet çështjen e njohjeve të mëtejshme. Këtu nuk kam parasysh vetëm Ministrinë e Jashtme, por edhe Qeverinë, Parlamentin, Presidentin, partitë politike, sektorët e jashtëm të këtyre partive, Komisioni i Jashtëm i Kuvendit. Vitin e kaluar patëm një takim të përbashkët me Komisionin e Jashtëm të Kuvendit të Kosovës, takimi u zhvillua në periudhën e debateve dhe përplasjeve për planin e Sekretarit të OKB-së Ban Ki Mun. Në këtë takim dolëm me një deklaratë të përbashkët të dy komisioneve parlamentare, atë shqiptar dhe kosovar, kjo pati një rol dhe rëndësi të madhe qoftë për të qetësuar situatën e atëhershme, por edhe për të sqaruar prespektivën e vendosjes së EULEKS-it në Kosovë. Institucione të tjera kanë punuar në këtë frymë ku aktualisht ministri i Jashtëm, Basha, është në një turne në vendet islamike, ku në epiqendër është lobimi me këto vende për njohjen e pavarësisë. Por Kosova ka edhe Ministrinë e Jashtme të vet, nuk është se ne marrim autorësinë e gjërave që nuk i bëjmë. Shqipëria është shumë aktive në marrëdhëniet me Kosovën dhe është e do të jetë gjithnjë avokate e pazëvendësueshme e Kosovës.

Si e shikoni të ardhmen e Kosovës në vijim për sa u përket njohjeve dhe integrimit, duke parë dhe ratifikimin e protokollit për njohjen e pavarësisë së Kosovës që u nënshkrua nga Parlamenti i BE-së?

E ardhmja e Kosvës është Bashkimi Evropian, anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi në OKB, e ardhmja e një shteti të ri demokratik, në rrafshin e objektivave strategjikë. Në një tjetër rrafsh, janë marrëdhëniet me fqinjët e saj, marrëdhëniet me Shqipërinë do të shkojnë gjithnjë e duke u përsosur, sepse përfundimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë krijon kushte për shkëmbime shumë më të mëdha, njerëzore, ekonomike e tregtare dhe kulturore. Kjo është një rrugë, e cila do t i bashkojë potencialet e gjithanshme të Shqipërisë dhe Kosovës, do të sjellë pasoja shumë pozitive në mirëqenien e të dy vendeve. Por edhe më gjerë se kaq, kjo është një rrugë që tërheq edhe fluksin e transporteve nga Serbia Jugore. Kosova po ndërton marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë me Malin e Zi, njohja e pavarësisë nga këto dy shtete ka qenë një akt i një rëndësie të veçantë për faktin se janë vende fqinje. Në një perspektivë më të largët nuk ka arsye që të mos shpresojmë se do të ketë një situatë tjetër në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Ato janë vende fqinje dhe nuk mund t u shmanget detyrave të fqinjësisë, pavarësisht se sot në Beograd nuk e pranojnë akoma pavarësinë dhe nuk duan të flasin për fqinjësi. Pavarësia është e pakthyeshme.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›