Qëlluan autobusin me armë, kapen dy vëllezërit e kërkuar
DURRES - Policia përfundon listën e të shumëkërkuarve për vrasjen e një pasagjeri muajin e shkuar në Shkozet dhe plagosjen e tre të tjerëve. Operacioni i koduar "Puna" është finalizuar në Allias, tek "Bregu i lumit". Tashmë në dispozicion të drejtësisë janë vëllezërit Leonard Kalemi, 22 vjeç dhe Romeo Kalemi, 18 vjeç. Dy vëllezërit kishin marrë një barakë me qira në mesin e kampit rom, ku shpresonin t'i fshiheshin syrit të policisë. Kanë qenë përgjimet telefonike dhe kërkesa e tyre për para që u duhej për qiranë, "karremi" që ka çuar hetuesit në vendin e duhur. Tashmë kur policia shkencore ka përfunduar edhe akt-ekspertimet balistike me dy armët automatike "model 56" rezulton se të shtënat drejt autobusit kanë ardhur nga familja Kalemi. Ky konkluzion shkencor përputhet edhe me dëshmitë e mbledhura në vendngjarje, ndaj policia ka dalë në përfundimin se Leonard Kalemi ka zbrazur plumbat mbi autobusin e linjës Durrës-Sektori "Rinia", ndonëse objektivi i vërtetë ishte familja rivale Meta. Nga kjo breshëri u plagos për vdekje pasagjeri Bashkim Zhupa, i cili arriti të jetonte në reanimacion vetëm 13 ditë, pas plumbit të marrë në qafë. Ndonëse është vëllai 22 vjeçar personi që shkreu këmbëzën e automatikut "Kallashnikov", policia bën përgjegjës për ngjarjen edhe vëllain e vogël Romeon. Të dy këta shtetas në bashkëpunim me të atin Nazim Kalemi (i arrestuar menjëherë pas ngjarjes), janë të implikuarit në sherrin që përfundoi me gjakderdhje. o.u