Islami: Tre kushtet për zgjedhjet
BLEDAR HOTI
Socialistët dhe de-mokratët i depozitojnë përplasjet e tyre për çështjen e kartave të identitetit në misionet ndërkombëtare si ODIHR dhe OSBE. Kur po afrohet procesi i zgjedhjeve, socialistët kanë nisur letrën e tretë në adresë së Ministrisë së Brendshme dhe të misionit të vëzhguesve të ODIHR dhe të OSBE-së për të shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me ato votues, që nuk kanë dokument për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit, as pasaportë me jashtë shteti apo kartë identiteti. Sekretari për çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, duke lënë të nënkuptohet se është i pakënaqur nga dokumentet e vëna në dispozicion nga Ministria e Brendshme ka paraqitur një kërkesë konkrete me listat e zgjedhësve, që kanë aplikuar ose jo gjatë kësaj periudhe. Islami deklaroi se kërkon listën e personave me të drejtë vote së bashku me emër, atësi, mëmësi dhe mbiemër, datëlindje, me numër pasaporte të vlefshme; listën elektronike me të gjitha të dhënat me emër mbiemër, atësi dhe mëmësi dhe datëlindje dhe numrin e aplikimit të 1.013.359 aplikantëve për letërnjoftim, pikërisht atë shifër që deklaroi Ministri Nishani. “Kërkojmë listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numër të aplikimit të së gjithë aplikantëve që kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhënat e datës 28 maj 2009”, deklaroi Islami.
Qeveria
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi dje se “do të lejohet të aplikojnë pranë zyrave të aplikimit në të gjithë vendin vetëm ata qytetarë, të cilët nuk e kanë një pasaportë. Çdo qytetar i këtij vendi që mund të paraqitet për të aplikuar deri në datën 15 qershor do të ketë në dorë letërnjoftimin elektronik për të pasur të gjitha mundësitë për të ushtruar të drejtën e votës ditën e zgjedhjeve”. Ministri Nishani ishte i pranishëm në zyrat e firmës “Aleat”, ku ka asistuar në prodhimin e kartës së 1 miliontë. Ministria e Brendshme siguron se brenda 15 qershorit do të pajiset të gjithë shtetasit që nuk kanë pasaportë të pajisen me kartë. Ndërsa Islami shprehet se “PS mbetet e vendosur të mos lejojë dhe pranojë ndryshimin apo transformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes lojës me letërnjoftimet si dhe vazhdon të mbetet e angazhuar të respektojë zhvillimin e zgjedhjeve në 28 qershor 2009. Mungesa e një përgjigje apo një përgjigje negative do të vlerësohen tregues shtesë me ndikim negativ ne analizën dhe vlerësimin e procesit”.
Kërkesat e PS-së
• Listën elektronike, me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numër pasaporte të votuesve me pasaportë të vlefshme, kjo e dhënë duhet të jetë e përditësuar me të dhënat deri në datën 28 maj 2009
• Listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numrin e aplikimit të 1.013.359 aplikantëve për letërnjoftim, pikërisht atë shifër që deklaroi Ministri
• Listën elektronike me emër, atësi, mëmësi, mbiemër, datëlindje dhe numër të aplikimit të së gjithë aplikantëve që kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhënat e datës 28 maj 2009
Shifrat e Ministrisë
• Deri më datë 29 Maj 2009, kanë aplikuar 1.149.211 votues.
• Nga grupi i atyre pa pasaportë 1 012 905 rekorde nga të cilat rezulton se 418 956 janë nga grupi i atyre pa pasaportë.
• Pritshmëria për votuesit pa pasaportë dhe që kanë aplikuar deri më 29 maj 2009 është më shumë se 460 000 votues.
• Kapacitetet e instaluara lejojnë pajisjen me letërnjoftim të së gjithë votuesve pa pasaportë, që do të paraqiten për të aplikuar deri më datën 15 qershor 2009.