E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretarja e Hitlerit: Tri vitet e mia pranë Fyhrerit

 

ALMA MILE

Kur flokët ia mbuluan thinjat dhe mori në duar kujtimet e hedhura në letër shumë vite më parë, ajo nuk e kuptonte dot naivitetin me të cilin ishin shkruar. Ishte e re aso kohe, vetëm 22 vjeçe dhe të qenit pranë një njeriu të tillë ishte e paimagjinueshme për vajzat e brezit të saj. Traund Junges ishte sekretarja e fundit e Hitlerit dhe i shërbeu prej vitit 1942, deri në momentin e vetëvrasjes së tij në 30 prill të vitit 1945. Ajo pati mundësi të ndjekë nga afër jetën e këtij njeriu, të cilin historia e kujton tanimë si një prej figurave më çnjerëzore, atij që shkaktoi luftëra botërore, që krijoi holokaustin dhe miliona viktima. Gjithë çfarë përjetoi gjatë periudhës që ajo i shërbeu Hitlerit i hodhi në letër në vitet 1947-1948, me shpresën, që dikush do të ishte i interesuar për t’i botuar ato e për t’i dhënë edhe ca të holla. Por kjo nuk ndodhi për shumë vite. Njerëzit i kishin ende plagët e hapura e nuk donin të dëgjonin më për nazizmin. I botuar në vitin 2002, ky libër bëri xhiron e botës e tanimë, nën titullin “Deri në orët e fundit”, vjen edhe në shqip, përmes shtëpisë botuese “Onufri”. Në faqet e këtij libri kujtimesh, lexuesi mund të mësojë shumë nga jeta e Fyhrerit, sigurisht parë nga këndvështrimi i vajzës së re. Ajo përshkruan takimin e saj të parë me Hitlerin, zgjedhjen e saj mes dhjetëra vajzash të tjera për t’i shërbyer, përshkruan jetën që bënte ai në strehën-bunker, çfarë bisedash bënte, çfarë hante, si vishej, si i pëlqenin gratë, ç’mendim kishte për modën, cila ishte filozofia e tij e jetës, si e shihte ai njeriun, cilat ishin sëmundjet nga të cilat vuante... Por më së shumti janë dëshmi të rralla, ditët e fundit të Fyhrerit, kërkesa e tij për t’u eliminuar fizikisht përpara se të binte në dorë të kundërshtarëve dhe së fundi vetëvrasja dhe djegia e tij. “Tani mundohem të analizoj atë që ndodhi në vazhdim. Të gjithë pjesëzat e vogla të ndara, që formojnë tërësinë e ngjarjeve të mëdha, kanë mbetur në hije. Hitleri jetonte, punonte, luante me qenin, mallkonte gjeneralët e tij, hante me sekretaret e veta dhe e tërhiqte Evropën drejt fatit të vet dhe ne mezi e vinim re këtë gjë. Gjermania gjëmonte nga ulërimat e sirenave dhe nga gumëzhitja e motorëve të avionëve armiq. Në Lindje zhvilloheshin beteja të ashpra”, - kështu shkruan Junges në kujtimet e saj. Duke bërë një jetë të mbyllur, e rrethuar nga uniformat naziste, të gjitha ditët ishin thuajse njëlloj për Junges dhe ajo shprehet se “gjithë periudha e vitit 1943, atëherë kur jetoja, flisja natë e ditë me Hitlerin, është si një ditë e gjatë, e vetme”. Kur i shkroi kujtimet, ajo nuk mbante asnjë qëndrim rreth asaj që ndodhte. Janë tregime të thata. Ndërsa në parathënien e saj, e moshuara Junge reflekton rreth atyre viteve. “Në rrjedhën e 35 viteve të fundit fillova të torturohem gjithmonë e më shumë, duke u përpjekur të kuptoj vetveten dhe motivet e mia të asaj kohe. U mësova të pranoj: në 1942 isha vetëm 22 vjeçe, e etur për aventura dhe e joshur nga Hitleri, i cili ishte një padron i këndshëm dhe një mik shumë i dashur. Atëherë nuk ia vija veshin zërit që paralajmëronte dhe që e kuptoja shumë mirë. Madje, ndihesha e kënaqur për kohën që kisha kaluar pranë tij deri në fundin mizor. Por pas zbulimeve mbi krimet e tij, do të jetoj deri në orën e fundit me ndjenjën se kam qenë bashkëfajtore”, - shprehet ajo. Më poshtë janë veçuar disa pjesë nga kujtimet e Junges, që tregojnë për jetën dhe preferencat e Hitlerit.
Teoria mbi njeriun
“Shkenca ende nuk ka sqaruar se nga çfarë rrënjësh vjen raca njerëzore. Ne duhet të jemi stadi i evolucionit më të lartë të ndonjë sisori, që është zhvilluar nga rrëshqanorët te sisorët, ndoshta duke kaluar përmes majmunëve deri në qenien njerëzore. Ne jemi një hallkë e krijimit dhe fëmijë të natyrës, dhe të njëjtat ligje vlejnë për ne si për të gjitha qeniet njerëzore. Natyrshëm ekziston ligji i luftës, i cili dominon që nga fillimi. Kushdo që është i paaftë për të jetuar dhe kushdo që është i dobët është eliminuar. Ka qenë në fillim njeriu e mbi të gjitha Kisha që i ka vënë vetes si detyrë të ruajë në mënyrë artificiale në jetë të dobëtin, atë që është i pazoti për të jetuar dhe mediokrin”.
Sëmundjet imagjinare
Ai vuante nga stomaku dhe, më vonë, arrita të mendoj se një pjesë e madhe e dhimbjeve të tij ishin të një natyre nervore ose imagjinare...
Vura re se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë: ai merrte shumë ilaçe. Gjatë ushqimit ose më pas, Linge duhej t’i jepte atij pesë tableta të ndryshme. Njëra duhej të nxiste oreksin, një tjetër t’i lehtësonte tretjen dhe një e tretë t’i pengonte fryrjen etj... Askush nuk e dinte nga se vuante në të vërtetë Hitleri. Asnjëherë nuk u bë e njohur ndonjë diagnozë e saktë.
Mbi të ardhmen
Hitleri i kishte zili mysafirët e tij që visheshin me uniformë civile. “Ju jeni me fat”, i tha një herë Brandit, i cili në një ditë me diell u paraqit me pantallona të shkurtra lëkure. “Më parë edhe unë kështu kam shëtitur gjithmonë”. “Por ju mund ta bëni përsëri këtë gjë tani, Fyhreri im, ju këtu bëni jetë private”. -”Jo, përderisa kemi luftë, nuk do ta heq uniformën e, për më tepër, gjunjët i kam krejt të bardhë dhe do të ishte e frikshme të dilja me pantallona të shkurtra. Por, pas luftës, unë do të heq dorë nga uniforma, do të rri këtu dhe dikush tjetër do të ngarkohet me punët e qeverisjes. Pastaj, si një zotëri i moshuar, do të shkruaj kujtimet e mia, do të rrethohem nga njerëz mendjemprehtë e inteligjentë dhe nuk do të pres më oficerë. Ata janë të gjithë leshko kokëngjeshur, mendje-ngushtë dhe gdhenj. Dy sekretaret e mia të vjetra do të jenë pranë meje e do të shkruajnë për mua, të rejat do të martohen. Kur të jem plakur, më të vjetrit mund të vazhdojnë akoma ritmin tim”.
Dieta ushqimore
Hitleri merrte shpesh dy vezë të fërguara me pure patatesh dhe sallatë domatesh. Me serat e tij, fidanishte modele, Bormani, bënte furnizimin me zarzavate dhe fruta të freskëta gjatë gjithë vitit. Po kështu, ai furnizonte edhe Shtabin e Përgjithshëm të Fyhrerit me prodhimet e kopshtit të tij. Këto ushqime përshkonin me avion rrugën e gjatë nga Bavaria në Prusinë Lindore. Hitleri mendonte se mund të treste vetëm ushqime të freskëta, por nuk donte të nozullohej nga një kopsht i huaj. Natyrisht, këto dërgesa në Obersalzberg mjaftonin vetëm për nevojat personale të Hitlerit, por në Berghof të gjithë, që nga marsi, shijonin tranguj të freskët, rrepa, kërpudha, domate dhe sallatë të gjelbër.
Të ngrënit vazhdonte rreth një orë. Mandej Fyhreri e përfundonte duke u ngritur nga tryeza për t’u përgatitur për shëtitjen.
Për paraqitjen dhe modën
Më kujtohet që Hitleri kishte një qëndrim të veçantë mbi modën femërore: Eva i kushtonte gjithë dashurinë dhe pasionin e vet gardërobës dhe paraqitjes së saj. Ajo nuk do të mund ta duronte mungesën e rrobave të reja dhe të ndryshme, vazhdimisht të rinovuara në dollapin e saj. Hitleri ia lejonte këtë kënaqësi, por thoshte: “Unë nuk e kuptoj se përse ju, gratë duhet të ndryshoni gjithmonë. Po qe se unë pëlqej shumë një fustan, atëherë do të doja më mirë që ta shikoja pronaren e këtij fustani me atë veshje. Ajo do të duhej t’i bënte të gjitha fustanet e veta me të njëjtën copë dhe me të njëjtin model. Por kur njeriu sapo është mësuar me një copë të bukur dhe ende nuk e ka parë mirë atë, befas na del një gjë e re”.
Eva nuk lejohej të ndryshonte mënyrën e krehjes. Një herë ajo u paraqit me flokët me një ngjyrë pak më të errët dhe, një herë tjetër, ajo i kishte ngritur lart ato. Hitleri ishte dëshpëruar: “Ju dukeni krejtësisht e huaj, keni ndryshuar krejtësisht. Ju jeni një grua krejt tjetër!”. Ai nuk qe aspak dakord dhe Eva shpejtoi të rikthehej në pamjen e saj të vjetër. Ai vinte re gjithashtu çdo transformim te damat e tjera dhe i admironte ato ose i kritikonte. Zonja Shnaider, e cila u paraqit një ditë me një krehje flokësh të ngritur, u duartrokit plotësisht nga Hitleri. Në këtë rast ai e përshëndeti ndryshimin si një shëmbëlltyrë të re që i jepte kënaqësi syve të tij.
Preferencat për gratë
Hitleri hante shpejt dhe shumë. Një herë, kur ndodhesha përballë tij, vura re që po më shikonte ndërsa po haja. “Ju hani shumë pak, fëmija im, ju jeni shumë e dobët!” Eva Braun më hodhi një vështrim përçmues, sepse në krahasim me të unë isha shëmbëlltyra e vajzës së pastër fshatare bavareze. Hitleri e shfrytëzoi këtë rast për të rinisur një bisedë për modën e të qenit shtathollë. “Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se çfarë bukurie ka kur gratë janë aq të dobëta sa burrat. Në fakt, ne i duam femrat pikërisht për diferencën arkitektonike që kanë. Më parë ishte krejt ndryshe. Në kohën time baleti ishte ende një kënaqësi, sepse shikoje trupa të bukur, të rrumbullakosur mirë, ndërsa tani, nuk sheh gjë tjetër veç kocka dhe brinjë, që hidhen mbi skenë. Më parë, Gebelsi donte të më tërhiqte gjithmonë në spektakle vallëzimi, por e kam shoqëruar vetëm disa herë dhe jam zhgënjyer. Të paktën, që kur jam Fyhrer, nuk kam nevojë të paguaj për këtë, kam bileta falas”. Me sa duket, gjatë bisedave të tilla ai ekzagjeronte, por në të vërtetë ai pëlqente më shumë format e dukshme femërore sesa ato djaloshare.
Muzika e preferuar
Hitleri zgjidhte pothuajse gjithmonë të njëjtin repertor. Opere-tat e Leharsit, këngët e Riçard Shtrausit, Hugo Volfit dhe Riçard Vagnerit. E vetmja arie në modë që urdhëronte të vihej ishte “Donkey-Serenade” (Serenata e gomarit). Në përgjithësi, ajo mbyllte koncertin.
Adhurimi i grave
Para luftës, portat hapeshin një herë në ditë, kur Hitleri nisej për shëtitjen e tij dhe njerëzit turreshin brenda, që të ecnin mbi gjurmët e tij. Gra histerike merrnin gurë që i kishte shkelur këmba e tij dhe njerëzit më pak të arsyeshëm silleshin si të xhindosur. Madje, një herë, një kamion që po çonte tulla në Berghof, ishte grabitur nga disa gra të krisura dhe tullat që nuk ishin prekur apo shkelur aspak nga duart dhe këmbët e Fyhrerit, përfunduan si suvenire të çmuara në vitrinat e dhomave të pritjes. Nga këto gra më pas vinin letra dashurie, që përbënin një pjesë të madhe të postës në Kancelarinë e Fyhrerit.
Për Italinë, mbretin dhe Musolinin
“Duçja është një burrë shteti i shquar. Ai e njeh mentalitetin e popullit të vet dhe ajo që ka bërë ai për Italinë, me dembelët e saj, është me të vërtetë e çuditshme. Por ai nuk ka një pozitë të lehtë, ai është midis Kishës dhe Shtëpisë Mbretërore. Është e vërtetë që mbreti është një hajvan, por ai ka shumë ithtarë. Viktor Emanueli është mbreti më i shkurtër që kam njohur. Kur shkova në Romë në vitin 1938, me trenin tim special, pak para hyrjes në stacion i paralajmërova zotërinjtë se së shpejti arrinim dhe po qe se atje ndodhej një burrë me uniformën gjithë ar, që dukej sikur ishte ulur në gjunjë, nuk duhej të qeshnin, sepse ky zotëri ishte mbreti i Italisë dhe nuk kishte arritur të rritej më shumë. Natyrisht, djemtë qeshën. Më mirë do të ishte që të mos u kisha thënë asgjë. Ishte një shfaqje tepër komike kur mbreti ishte ulur në tryezë pranë mbretëreshës, e cila ishte dy kokë më e gjatë se ai. Megjithatë, për sa kohë ishin ulur ata nuk kishin dhe aq diferencë në gjatësi, por kur u ngritën mbreti u shkurtua, ndërsa mbretëresha u zgjat edhe më shumë. Por Roma ishte madhështore. Italia është një vend i mrekullueshëm, ndërsa populli i saj është tepër dembel.”
Mbi martesën dhe familjen
Njëherë, kur po flisnim për çiftin dhe martesën, unë e pyeta: “Përse, Fyhreri im, nuk jeni martuar?”. Ndërkaq, e dija mirë që atij i pëlqente shumë të rregullonte martesa. Përgjigjja e tij ishte shumë e habitshme: “Nuk do të isha një baba i mirë për familjen dhe e quaj diçka të papërgjegjshme të krijoj një familje, nëse nuk mund t’i përkushtohem sa duhet gruas sime. Dhe, për më tepër, nuk dua të kem fëmijë, sepse mendoj se pasardhësit e gjenive, në pjesën më të madhe të kohës, gjenden në situata tepër të vështira në jetë. Prej tyre pritet që të jenë në të njëjtin nivel me gjyshërit e tyre dhe nuk u falet të jenë të mesëm. Nga ana tjetër, më shpesh ata bëhen idiotë”.
Vdekja e parapërgatitur
Kur mendoj sot që flitej vetëm për mënyrën më të mirë për të vdekur, nuk arrij ta kuptoj as vetë se si jam akoma gjallë. Hitleri kishte mësuar për vdekjen fyese të Musolinit. Madje, mendoj se dikush i kishte treguar atij fotot e trupave të zhveshur, të varur prej këmbësh, në mes të sheshit të tregut të Milanos. “Unë nuk dua të bie në duart e armiqve as gjallë, as vdekur. Pas vdekjes, kufoma ime duhet të digjet dhe të mbetet e pagjetur përgjithmonë”, thoshte Hitleri. Dhe ndërkohë që po hanim, mekanikisht, pa vënë re se çfarë hanim, folëm për mënyrën më të sigurt për të vdekur. “Më e mira është të shkrepësh një plumb në gojë. Kafka pëlcet, nuk kupton absolutisht asgjë. Vdekja vjen menjëherë”, na shpjegoi Hitleri. Por kjo ide ne femrave na bëri të dridhemi. “Unë dua të jem një kufomë e bukur, tha Eva, prandaj do të pi helm”. Dhe ajo nxori nga xhepi i fustanit të vet elegant një kapsulë të vogël, ku ndodhej një ampulë cianuri. “A të shkakton shumë dhimbje? Kam shumë frikë të vuaj për shumë kohë-, pohoi ajo. Dhe po qe se unë jam gati tani të vdes heroikisht, të paktën kjo të ndodhë pa dhimbje”. Hitleri na shpjegoi se vdekja nga ky helm ishte krejtësisht pa dhimbje. Vdekja vinte brenda disa sekondave, nga një paralizë e sistemit nervor dhe frymëmarrjes. Dhe ky mendim “qetësues” e nxiti zonjën Kristian dhe mua që t’i kërkonim Fyhrerit një nga këto ampula. Ai kishte marrë dhjetë të tilla nga Himleri dhe kur u ndamë me të pas bukës, na dha nga një duke na thënë: “Jam me të vërtetë i pikëlluar, që nuk mund t’ju bëj një dhuratë më të mirë për lamtumirën.”
Vetëvrasja
Papritmas një e shtënë kërcet kaq fort dhe pranë, sa ne bëhemi krejt memecë. Zhurma përhapet përmes gjithë dhomave. “Kjo ishte një goditje në shenjë”, thirri Helmuti, pa e pasur idenë se sa të drejtë kishte. Fyhreri ka vdekur... Fytyra e gjerë dhe e madhe e Oto Gynshes ngjit shkallët dhe, bashkë me të, një re ere benzine. Fytyra e tij është e përhime, tiparet e reja dhe të freskëta janë të zgavërta. Ai ulet rëndë pranë meje, merr shishen, dora e madhe i dridhet. “Unë kam zbatuar urdhrin e fundit të Fyhrerit... trupi i tij është djegur”, thotë ai me zë të ulur. Nuk jap asnjë përgjigje, nuk pyes asgjë. Ai zbret për të parë nëse kufomat janë shkrumbëzuar tërësisht... Poshtë, në pjesën e fundit të korridorit, dera e dhomës së Hitlerit ishte ende e hapur. Mbartësit e trupave nuk i kishin pasur të lira duart për ta mbyllur. Mbi tryezë ndodhej revolveri i vogël i Evës, anash, një pëlhurë krejt e trëndafiltë dhe, përtokë, pranë karriges së zonjës Hitler, pashë të shkëlqejë këllëfi i kallajtë i ampulës së helmit. Ajo ngjasonte me një tub të kuq buzësh të zbrazët. Në tapicerinë me motive blu dhe të bardha të stolit të Hitlerit, kishte njolla gjaku: gjaku i Hitlerit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›