E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogjtë në modë, përkrahen edhe nga ministria

Përderisa, disa nga këngëtaret tona dhe fytyrat publike, lavdërohen me “zogjtë” e tyre, fermeri Afrim Krasniqi, mendon krejt ndryshe. Ky fermer që merret me rritjen e zogjve është i bindur se zogjtë që ai rrit, janë shumë më të mirë se zogjtë me të cilët po “shtyhen” fytyrat tona publike.

Për më tepër, zogjtë e tij janë të racave të njohura botërore me pedigre dhe mbarështohen sipas standardeve moderne, nën kushte të të ushqyerit të rregullt me ushqim cilësor, kushte higjienike të nivelit më lartë dhe krejt kjo, natyrisht, nën përkujdesjen e ekspertëve.

“Për dallim nga ata “zogj”, që gjithashtu kanë vlerën e vet, zogjtë e mi janë më të mirë, janë më produktiv. Tek e fundit nuk mundem me i dhanë vlerësim një zogut që nuk e shohim. Zogjtë e mi mundet me i pa kushdo dhe me i prekë kushdo”, thotë me plot humor për portalin “Ferma Ime”, shpezëtari Afrim Krasniqi, i cili për dallim nga të vetë-lavdëruarat, në rritjen e zogjve ka përvojë zvicerane.

Veprimtarinë e tij, Krasniqi e ka filluar qysh në vitin 2002 dhe deri atëherë puna e tij është përshkuar edhe me vështirësi të shumta. “Pas përfundimit të luftës unë vendosa të kthehem nga Zvicra meqë nuk kisha status të rregullt atje. Këtë profesion e kam punuar 7 vjet në Zvicër dhe mendova që përvojën e atjeshme ta barti në Kosovë. Në fillim mirë më shkonte puna, por më vonë dolën edhe vështirësi të tjera, sepse nuk kisha përkrahje, tregun nuk e kisha të siguruar dhe disa herë më është dashur ta ndërpresë veprimtarinë. Tani prapë kam filluar dhe shpresoj se kjo etapë të më shoqërojë me suksese”, rrëfen Afrim Krasniqi.

E, që rritja e zogjve është veprimtari serioze, këtë e tregon edhe përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t`ju krijuar kushte më të mira mbarështuesve të tyre. Në programin e sivjetmë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural figuron edhe përkrahja financiare për rritjen e zogjve për mish.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, shpjegon për portalin “Ferma Ime” se fokus i kësaj përkrahje është ndërtimi i stallave moderne për së paku 3600 zogj, me infrastrukturë të kompletuar, me sistemet e deponimit të plehut, sistemet e ventilimit, ujit brenda në fermë, ushqimit, ngrohjes, ndriçimit, etj.

“Investimet maksimale të pranueshme janë 25 mijë euro, të cilat mbulohen në shkallë prej 65 për qind prej Ministrisë së Bujqësisë. Këtë masë e përkrahim me 350 mijë euro, derisa me 300 mijë euro të tjera e përkrahim edhe ndërtimin e stallave për pula dhe kompletimin e infrastrukturës së brendshme, me mekanizëm për largimin e plehut në fermë, kafazet për vendosjen e pulave, sistemet e monitorimit të temperaturës së lagështisë dhe dhomën frigoriferë”, thotë Behramaj, duke shtuar se investimet maksimale të pranueshme për këtë nënmasë arrin deri në 40 mijë euro.

Ai edhe më tej fletë për vendosmërinë e Ministrisë së Bujqësisë, për t’i përkrahur edhe pularitë ekzistuese. “Gjithashtu, me 300 mijë euro të tjera, sikurse në disa vende të BE-së, sivjet për herë të parë subvencionojmë edhe pulat për vezë bazuar në tufë, ku pularitë që kanë prej 2,500-10,000 krerë pula do të subvencionohen me nga 50 cent në krerë, ato që kanë prej 10,000-20,000 krerë, me nga 40 cent dhe ato që kanë mbi 20,000 krerë pula, do të subvencionohen me nga 30 cent për krerë”, tregon Behramaj.

Sidoqoftë, viti 2013, mund të quhet edhe “vit i zogjve”, duke pasur parasysh bisedat e shumta që po bëhen për zogj dhe mbështetjen serioze që për herë të parë po përfitojnë mbarështuesit e zogjve në vendin tonë.

Në këtë kuadër, portali Ferma Ime propozon që nga ky viti, të institucionalizohet gara për zogun më të mirë, që do të mund të quhej “Miss Zogu”, ashtu sikurse është institucionalizuar “Miss Gjedhi” përmes panaireve të gjedhit. Më i njohuri është panairi i Gjakovës, pastaj vijnë i Kaçanikut, Suharekës, etj./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›