E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për Amnistinë, para zgjedhjeve

 Analisti politik Ramush Tahiri, ka thënë për se procesi i dialogut në Bruksel mund të ndodhë edhe të bllokohet nëse presidentja Atifete Jahjaga nuk e nënshkruan Ligjin për Amnisti.

Ai për “Epokën e re” ka shprehur bindjen e tij se Ligji për Amnistinë duhet të hyjë në fuqi para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

“Mund edhe të ndodhë, sepse zyrtarët e Serbisë e kanë bërë një paralajmërim të tillë kur herën e parë nuk kaloi ligji në Kuvend. Ata thanë ‘ne serbët i kemi njëqind kushte nga BE-ja dhe të gjitha po i plotësojmë, ndërsa shqiptarët e patën vetëm një kusht, dhe këtë po e anashkalojnë”, ka thënë Tahiri. Si politolog dhe si analist i proceseve politike, ai e ka shprehur bindjen e tij se Ligji për Amnistinë duhet të hyjë në fuqi përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale. “Sepse me këtë bëhet amnistia për të gjithë ata qytetarë, pa marrë parasysh nacionalitetin, e që kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të shtetit të Serbisë në Kosovë. Ky është parakusht i negociuar në Bruksel, është i drejtë politikisht dhe u mundëson qytetarëve që të jenë të amnistuar për shkak të veprimeve që burojnë nga bindjet politike”, ka thënë ai.

Presidentes së vendit i ka shkuar për nënshkrim ky ligj më 19 korrik. Ndërsa ligji është miratuar më 11 korrik me 90 vota të deputetëve të Kuvendit nga 120 sa i ka gjithsejtë.

“Presidentja duhet të sillet në pajtim me Nenit 80 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pika 5, e cila thotë: ‘nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare’. Në ndërkohë Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e ka kontestuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, po më datën 19 korrik dhe shërbimi i Gjykatës e ka pranuar si të rregullt këtë procedim. Tash, sipas mendimit tim, kemi një konflikt procedural se a e ka dërguar Kuvendi i Kosovës brenda afatit ligjin për procedim te presidentja apo e ka dërguar një ditë më herët dhe ‘ Vetëvendosja’ brenda afatit ligjor e ka dërguar në gjykatë. Paneli shqyrtues i Gjykatës Kushtetuese duhet ta ketë këtë parasysh kur ta shqyrtojë lëndën”, ka thënë Tahiri.

Në vazhdim, ai ka thënë se nuk është jurist dhe nuk e di se kompetencë e kujt është numërimi i ditëve, pra afati i qëndrimit në Kuvend të ligjit.

“A është i Kuvendit apo i Gjykatës Kushtetuese dhe a numërohen ditët kalendarike apo ditët e punës. Fakt është se ligji ka mbërri në Zyrën e Presidentes dhe ka ardhur një letër nga Gjykata që thirret në një nen të caktuar të Ligjit të Gjykatës Kushtetuese që në këtë rast nuk ka të bëjë fare me kompetencat e presidentes, por të Kuvendit, sepse aty thuhet se ligji nuk mund t’i dërgohet për procedim presidentit të vendit nëse më parë ka kontestim të rregullt dhe lëndë në Gjykatën Kushtetuese. Pra po e parafrazoj se aty thuhet se Kuvendi nuk mund ta dërgojë ligjin te presidentja ka është marrë vendimi dhe pa përfunduar procedurat në Gjykatë Kushtetuese”, është shprehur Tahiri.

Në vazhdim, ai ka thënë se është gabim që Gjykata Kushtetuese nuk ia ka dërguar një letër të tillë Kuvendit, por presidentes, madje duke e bërë publike.

“Si politolog mendoj se Kushtetuta ka supremaci ndaj secilit ligj dhe se dispozitat kushtetuese në këtë rast duhet të zbatohen”, ka thënë Tahiri./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›