Koktej molotovi në veturën e EULEX-it

Një automjet zyrtar, me shenja të dukshme të komponentës së EULEX-it, është sulmuar me gurë dhe koktej molotovi, në qendër të qytetit në veri të Mitrovicës.
Rasti i sulmit dhe i dëmtimit të veturës është regjistruar, pak minuta pas mesnatës, rreth orës 00:20 min, ndërsa zyrtarët e komponentës së EULEX-it, kanë njoftuar Policinë e Kosovës, lidhur me rrethanat e paraqitura.
Sipas deklaratës së siguruar nga Policia e Kosovës, thuhet se zyrtarët e EULEX-it, derisa ishin duke lëvizur me veturë në rrugën “Mbreti Petër”, një grup i personave të panjohur, të maskuar, kanë hedhur gurë, mjete të forta dhe shishe xhami me përzierje molotovi mbi veturën e EULEX-it.
Zyrtarët e EULEX-it, janë larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa kanë raportuar lidhur me incidentin.
Janë regjistruar dëme materiale më veturën zyrtare të EULEX-it, ndërsa nuk është raportuar për lëndime të shkaktuara ndaj zyrtarëve.
Deri më tani, nuk është raportuar për identifikim dhe arrestim të personave të dyshimtë të përfshirë në këtë akt kriminal.
Një veturë tjetër e EULEX-it, ishte sulmuar dje në orët e pasdites në fshatin Rudare të Zveçanit, si shenjë revolte e një grupi të qytetarëve pas arrestimit të dy personave./Indeksonline/