E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH kundër ERE: Kërkojmë rritjen e çmimit të energjisë me 23 për qind

OSSH-ja: Nëse nuk rrisni çmimin me 23 për qind, do të ketë një rritje të lartë të borxhit prej 20 miliardë lekësh në vitin 2009 kundrejt partnerëve të jashtëm, duke e çuar në nivelin e 25,8 miliardë lekëve
 
çekët e OSSH-së kanë kundërshtuar vendimin e Entit Rregullator të Energjisë, që u shpall dy ditë më parë dhe ku përcaktohej një rritje e çmimit të energjisë elektrike me 13 për qind që prej datës 1 janar 2010.  Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, kompania e konsideron jo të drejtë vendimin e ERE-së, i cili sipas saj ka rritur më shumë çmimin për KESH-in dhe OST-në dhe më pak për OSSH-në. “Ne e kuptojmë që të gjitha palët në sektorin e energjisë në Shqipëri kanë nevojë për fonde për punët e tyre, mirëmbajtjen dhe investimet, por vendimin e ERE-së për rritjen dramatike në favor të KESH-it (26 për qind) dhe OST-së (20 për qind) dhe rritjen shumë të vogël për OSSH-në (7.1 për qind) ne e gjejmë të pabalancuar”, deklaron OSSH. Kompania thotë se e shikon këtë vendim si një sulm kundër investitorëve të huaj në vend. Sipas kompanisë, është prezantuar gjithë dokumentacioni dhe provat e nevojshme për të mbrojtur propozimin për rritjen e çmimit të energjisë, duke i ofruar ERE-së gjithë shpjegimet e kërkuara shtesë. Studimi mbi humbjet, i përgatitur nga një auditor i pavarur, i përzgjedhur nga vetë ERE dhe OSSH, për habi nuk u pranua nga ERE. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë që nuk ka një studim të saktë mbi këtë gjë dhe se vendimi i ERE-së mbi tarifat, i datës 15.12.09, nuk është në përputhje me Deklaratën Rregullatore.
***
Sipas investitorit të huaj, OSSH-ja do të vazhdojë të ketë një rritje të lartë të borxhit prej 20 miliardë lekësh në vitin 2009, kundrejt partnerëve të jashtëm, duke e çuar në nivelin e 25,8 miliardë lekëve. Kjo në mënyrë të pashmangshme do të çonte në kolaps financiar dhe më pas në falimentim të OSSH-së. Sipas kompanisë çeke, bankat nuk do të jenë të gatshme të financojnë OSSH-në, pasi ajo nuk do të jetë në gjendje të paguajë kreditë për shkak të treguesve negativë. OSSH-ja deklaron se do të përdorë të gjithë hapat e mundshëm ligjorë për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të OSSH-së dhe aksionerëve të vet, duke ndërmarrë hapa ligjorë brenda vendit dhe jashtë vendit, si dhe përdorimin e garancisë së dhënë nga Banka Botërore.
***
Konflikti ka ardhur për shkak të kërkesës që ka bërë “CEZ” për një rritje 23 për qind të çmimit të energjisë dhe justifikimit se një rritje e tillë është e domosdoshme, duke u bazuar në një nivel humbjesh që shkon në 35,7 për qind, shifër kjo 3.7 për qind më e lartë se niveli zyrtar i pranuar. Humbjet në rrjet janë pjesë përbërëse e çmimit të energjisë elektrike, çka do të thotë se, sa më të larta të jenë ato, aq më shumë duhet të rriten tarifat. Enti Rregullator i Energjisë thotë se bordi i komisionerëve konstatoi se shifrat e paraqitura nga kompania OSSH ishin jorealiste dhe të ekzagjeruara. Ndaj ky bord mori vendimin që të mos pranojë kërkesën e kompanisë. Në këtë mënyrë mbetet në fuqi niveli prej 32 përqindësh i humbjeve në rrjet. Kërkesa për rritje të çmimit të energjisë elektrike vjen në një kohë që humbjet për pjesën e parë të vitit kapin 32 për qind të energjisë. Humbjet jo vetëm që nuk janë ulur, por kanë pësuar një kapërcim të të gjithë parashikimeve, të cilat ishin përcaktuar në kontratën koncesionare.
***
Por ERE, pasi nuk ka marrë parasysh nivelin e humbjeve që OSSH ka paraqitur si evidencë për një rritje të fortë të çmimit, ka vendosur që rritja të jetë me 13 për qind që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Ky është vendimi i bordit të komisionerëve të Entit Rregullator, i cili u publikua dy ditë më parë pas diskutimesh me palët e interesit. Ky institucion ka lënë në fuqi tarifimin me dy nivele të energjisë, me qëllim mbrojtjen e shtesave në nevojë, duke hedhur poshtë kërkesën e OSSH-së për të pasur një çmim unik për konsumatorët. Sipas këtij vendimi, qytetarët që konsumojnë deri në 300 KW/h nga 7 do të paguajë 7.7 lekë, ndërsa mbi këtë konsum tarifa arrin nga 12 në 13.5 lekë, pa Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
 
Argumentet
Drejtuesit e Entit kanë argumentuar se këto tarifa i japin mundësi kompanisë që të krijojë të ardhurat e nevojshme për të furnizuar popullatën me energji. Madje, një nga arsyetimet e Entit në përcaktimin e tarifave është edhe mbrojtja e konsumatorit nga veprimi monopol i kompanisë OSSH në treg. Por këto tarifa janë dukshëm më të ulëta se kërkesa e OSSH-së, e cila aplikoi për një rritje prej 23.1 përqindësh në vitin 2010. Një tjetër reagim i pritshëm i çekëve është t'i drejtohen Bankës Botërore, e cila ka dalë garant që qeveria do të rrisë çmimin sipas deklaratës së nënshkruar. Por përfaqësues të Entit u shprehen se marrëveshja për të cilën i referohen çekët është keqinterpretuar prej tyre.
 
 
 
Ja kush përfiton kompensim për energjinë
Ministrat e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Spiro Ksera dhe Dritan Prifti, zhvilluan dje një takim të përbashkët për të diskutuar rreth kompensimit të energjisë elektrike për shtresat në nevojë, pas vendimit të dy ditëve më parë nga Enti Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit edhe për konsumatorin familjar duke filluar nga 1 janari i vitit 2010. Ministrat shoqëroheshin nga ekspertë të të dy ministrive dhe në takim u diskutua rreth kostos së rritjes së energjisë për buxhetin familjar, kategoritë të cilat në bazë të të ardhurave do të konsiderohen në nevojë, si përcaktimit të mënyrës së kompensimit. Në konferencën për shtyp pas takimit ministrat njoftuan se miratuan ngritjen e një grupi pune me ekspertë të të dy ministrive, grup i cili deri ditën e martë të javës tjetër do të ketë gati projektvendimin që do t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave në një nga mbledhjet e tij të radhës, në mënyrë që duke filluar nga 1 janari, të gjitha kategoritë të kenë mundësinë të përfitojnë kompensimin për energjinë. Sipas ministrit Prifti, takimi i sotëm vjen menjëherë pas vendimit të ERE-së për rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe pas porosisë së kryeministrit në mbledhjen e djeshme të qeverisë për të përfunduar menjëherë procedurat e nevojshme për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga kjo rritje. “Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, që kanë persona që përfitojnë pagesë paaftësie, të papunët, buxhetorët me pagë mujore nën 35 000 lekë, pensionistët etj., do të përfitojnë nga subvencionimi që do të akordohet nga qeveria për rritjen e çmimit të energjisë”, u shpreh Prifti. “Tashmë qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike dhe garantojmë se shteti do të kompensojë 100 për qind të vlerës së rritur të energjisë për kategoritë në nevojë”, përfundoi ministri i Ekonomisë. Edhe ministri Ksera siguroi se mbrojtja e shtresave në nevojë është angazhimi i kësaj qeverie dhe se tashmë vetëm në buxhetin e Ministrisë së Punës, për zërin kompensim të energjisë elektrike është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh. “Në VKM që do të përgatitet nga ekspertët, do të përfshihen edhe kategoritë e reja që do të trajtohen me ndihmë ekonomike për herë të parë, pas ndryshimeve të parashikuara në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, sqaroi ministri i Punës.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›