E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonat erogjene

Gratë janë të çuditshme! Në qoftë se dikush, akoma nuk e di këtë, le të lexojë Dr. Alfred Kinsey. Ai, në intervistat e tij, me disa mijëra gra, vuri re se disa prej tyre e arrinin orgazmën edhe vetëm duke përpjekur qepallat, ose kur burrat u puthnin veshin tek vendi i vathit, ose kur ata ushtronin pak presion mbi dhëmbët e tyre.

Kërkues të tjerë, më vonë, kanë gjetur gra që e arrijnë klimaksin, vetëm duke menduar për seksin. Pa asnjë stimulim fizik.

Këto gjetje të kërkuesve, flasin për diçka me shumë rëndësi. Ato flasin për zonat erogjene të grave (pjesët e trupit që kanë rëndësi të veçantë për prekjen erotike). Gratë, përgjithësisht, janë më të ndjeshme nga burrat ndaj prekjeve në të gjithë trupit. Trupi i grave ka potenciale shumë më të mëdha për kënaqësi seksuale, nga sa ka trupi i burrave.

Për shumicën e grave, prekja dhe përkëdheljet e të gjitha pjesëve të trupit, janë prelud i domosdoshëm për të arritur eksitimin seksual.

Pse ndodh kështu?

Askush nuk jep përgjigje të saktë shkencore. Mendohet se kjo ndodh nga që grave u duhet më shumë kohë për t’u eksituar dhe këtë duhet ta dinë mirë burrat.

Vatrat më të Nxehta.

Pjesa seksualisht më e ndjeshme në trupit e grave, natyrisht, është klitori. Koka e tij, pjesa më e dukshme, është e pajisur me shumë mbaresa nervore, më shumë se në çdo pjesë tjetër të trupit. Koka e klitorit është aq e ndjeshme, sa ai dhemb kur stimulohet brutalisht, ose pa lubrifikim. Në trupin e njeriut, klitori është i vetmi organ që ka për funksion vetëm kënaqësinë. Nuk ka organ tjetër, as tek burrat, as tek gratë, që të jetë vetëm për kënaqësi. Ky është një favor që “Nënë Natyra” u ka bërë grave.

Doktor Kinsey, i ndihmuar edhe nga pesë gjinekologë, kryen një seri eksperimentesh të famshme. Ata përdorën objekte qelqi, metalike dhe pambuk (Q-tips), për të provuar ndjeshmërinë e gjenitaleve të rreth 900 grave. Ata donin të gjenin se cilat ishin zonat më të ndjeshme tek gratë. Kur objekti prekte në mënyrë xhentile klitorin e grave, 98 për qind e tyre ishin të ndjeshme ndaj prekjes.

Buzët e brendshme vaginale, që rrethojnë klitorin dhe shënojnë hyrjen për në vaginë, ose labia minora, siç i quajnë doktorët, janë shumë delikate dhe shumë të ndjeshme. Në studimin e Dr. Kinsey, 98 për qind e grave ishin shumë të ndjeshme, kur prekeshin në këtë zonë. Në përfundim të studimit, Dr. Kinsey shkruan: “Si burim për eksitimin seksual, buzët e vogla duket se janë po aq të rëndësishme sa edhe klitori”.

Buzët e mëdha, ose të jashtme, ose labia majora, siç i quajnë doktorët, janë shumë më pak të ndjeshme erotikisht, krahasuar me buzët e vogla.

Për shumë gra, hyrja për në vaginë është një zonë tjetër erotike e “tmerrshme” (në kuptimin më pozitiv të fjalës). Këtu bëjnë pjesë vetëm disa centimetrat e jashtme të vaginës. Ato janë të pajisura me shumë mbaresa nervore. Më thellë, muret e brendshme të vaginës, kanë pak mbaresa nervore dhe janë të pandjeshme kur preken dhe ushtrohet presion i lehtë mbi to.

Pak më Larg

Goja, buzët dhe gjuha, bëjnë pjesë në zonat më erogjene të gruas. Studiuesja Miriam Stoppard, M.D. në librin e saj “The Magic of Sex”, shkruan: “Duke stimuluar gojën e gruas….mund të ndezësh të gjithë trupin e saj dhe kjo ka efekt të drejtpërdrejtë në eksitimin e organeve gjenitale. Nga ana tjetër, stimulimi erogjen i çdo pjese tjetër të trupit të gruas, prodhon reaksione të këndshme në gojën e saj”.

Ekziston një lidhje, që besoj e njohin mirë obstetrit dhe mamitë, midis gjinjve dhe thumbave dhe organeve gjenitaleve të grave. Kur një grua shtatzënë është në procesin e lindjes (faza e expulsionit), ngacmimi i thumbave të gjinjve nxit kontraksionet uterine të lindjes. Po ashtu, gjatë lojës seksuale, çdo prekje xhentile në gjinjtë e gruas, dërgon sinjale seksuale që gudulisin poshtë në vagjinën e saj. Ja dhe një fakt tjetër, Dr. Kinsey konstatoi se rreth 11 për qind e grave vetë-stimulojnë gjinjtë gjatë masturbacionit.

Burra! Silluni xhentilë me thumbat e gruas. Ato janë shumë të ndjeshëm, veçanërisht, përpara periodave.

Hapësira që shtrihet midis gjenitaleve të saj dhe anusit, ose perineumi (vendi që preket kur gruaja kapërcen një gardh), është shumë i ndjeshëm në prekje. Prekja e kësaj zone shkakton eksitim seksual të konsiderueshëm. Penetrimi i thellë i vaginës ose rektumit, stimulon nervat që janë vendosur thellë në këtë zonë.

Shumë gra përgjigjen erotikisht edhe në ngacmimin rreth kërthizës, pjesës së poshtme të barkut, pjesën e brendshme të kofshëve, në vithet, në qafë dhe në sqetullat. Gratë që arrijnë në orgazmë nga puthja e lobit të veshit, e arrijnë këtë ngaqë, gjatë eksitimit, lobi i veshit mbushet me gjak, fryhet dhe bëhet pabesueshmërisht i ndjeshëm.

Dëshironi të gjeni pjesët erotikisht më të “ëmbla” në trupin e gruas suaj? Kërkojini ato me gjuhën tuaj, në mënyrën më përtace të mundshme, në momentin kur ajo është e eksituar.

E Famshmja Vatra “G”: A Ekziston ajo Vërtet?

Nga fillimi i viteve të tetëdhjeta, pas publikimi të librit “The G-Spot and Other Recent Discoveries about Human Sexuality”, gjuetia për vatrën “G”, u bë një gjë e rëndësishme kudo në media.

Vatra e Grafenbergut, e emërtuar sipas obstetrit gjerman, që epërshkroi atë në vitin 1950, supozohej të ishte një zonë e vogël sa një bizele. Kjo “perlë”vendoset në murin e sipërm të vaginës, rreth 3-4 cm brenda hapjes vaginale. Kur kjo zonë stimulohet, në shumë gra ndodhin orgazma të fuqishme dhe shpërthyese. Këto orgazma ndryshojnë shumë, për nga intensiteti, prej orgazmave që ndodhin nga stimulimi i klitorit.

Natyrisht, zbulimi i një gjëje të re mbi seksualitetin femëror, pas gjithë këtyre shekujve të studimit të trupit të njeriut, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Shumë studiues, përkrahës të lëvizjes feministe, këtë zbulim kaq të madh, por të vonuar, e lidhin me trajtimin diskriminues seksit ndaj grave edhe kur është fjala për anatominë e tyre.

A ekziston vërtet vatra “G”? Historitë që tregojnë shumë gra, me orgazma eksplozive dhe me shumë derdhje ejakulati pas eksitacionit me presion të thellë në këtë zonë, që nuk janë karakteristike për orgazmat e zakonshme, flasin se vatra “G” ekziston, më së paku, tek këto gra.

Por, edhe sot, mbi më shumë se njëzet vjet pas daljes së librit të sipërcituar, ekspertët akoma po diskutojnë dhe akoma nuk janë marrë vesh midis tyre, në se vatra “G” ekziston realisht.

Në një koment të fortë, Domeena Renshaw, M.D., profesoreshë e psikiatrisë në Loyola University Stritch School of Medicine në Chikago, dhe një autoritet i shquar në fushën e seksterapisë, thotë: “Në kulturën tonë mekanistike të nxituar, ideja e vatrës “G” bëri një thirrje publike të menjëhershme. Shtyp një buton dhe shko në një klimaks magjik në 60 sekonda”. Ajo konkludon: “Vatra “G” do të mbetet e papranueshme si fakt shkencor, për librat e gjinekologjisë”.

Por, shumë autoritete mjekësore, nuk janë dakord me Dr. Renshaw. Kështu është, për shembull, J. Kenneth Davidson, Sr., Ph. D., professor i sociologjisë në “University of Wisconsin-Eau Claire”. Ai, së bashku me dy kolegë të tij, intervistuan mbi 1200 gra profesioniste (mjeke dhe psikologe), lidhur me eksperiencat e tyre seksuale personale. Ata thonë: “Nga të dhënat mjekësore që kemi parë, si dhe nga të dhënat anekdotike, ne jemi absolutisht të bindur se fenomeni ekziston, dhe virtualisht, të gjitha gratë e kanë këtë potencial biologjik”. Studimi i tyre arrin në këtë përfundim: “Ndërsa shumë mjekë janë akoma duke debatuar për ekzistencën e zonës sensitive në murin vaginal, shumica e grave, në këtë studim, besojnë se një vatër e tillë ekziston dhe ato kanë provuar sensacionin e këndshëm që shoqëron stimulimin e saj”.

Studime të tjera, që kanë tentuar të lokalizojnë vatrën “e pakapshme”, në grupe të mëdha grash, kanë arritur në përfundime shumë të ndryshme. Në një nga këto studime, gjinekologët eksploruan gjithë murin vaginal tek një numër i madh grash, dhe arritën në këtë përfundim: “85 për qind e grave, raportuan ‘ndjeshmëri të lartë erotike’ në murin e sipërm të vaginës. Ato dhanë përgjigje seksuale ‘të ngjashme për nga kualiteti …por më të ulëta për nga intensiteti ….kur përgjigja krahasohet me ndjeshmërinë erotike të provokuar nga klitori”.

Një studim tjetër, me mbi 100 gra, gjeti se vetëm 10 për qind e grave, e kanë këtë zonë me ndjeshmëri të lartë në murin e sipërm të vaginës së tyre.

Edhe midis kërkuesve që janë të bindur se diçka ka, ata akoma nuk kanë arritur një marrëveshje të përbashkët lidhur me emërtimin e këtij formacioni anatomik. Disa e kanë quajtur “sfungjeri uretral”, ose thjesht “gjëndra dhe duktusi parautral i Skenës”, që është një koleksion bulbesh e tumulash, që drenojnë uretrën. Shumë kërkues e kanë quajtur “prostata femërore”, për arsye se ajo duket e ngjashme në formë dhe në funksion me prostatën mashkullore (e cila gjithashtu është shumë ndjeshme gjatë prekjes erotike).

Disa kërkues në Evropë, duke përdorur analizën e gjakut, që bëhet për të zbuluar praninë e dy lëndëve, që më parë mendohej se prodhoheshin vetëm nga gjëndra eprostatës mashkullore (PSA dhe PAP), i gjetën këto dy lëndë në dy të tretat e 33 grave që ata ekzaminuan. Ekzaminimet e mëtejshme zbuluan se “prostata femërore”, tek ato gra që e kanë këtë, ngjan shumë me gjëndrën e prostatës së burrave përpara pubertetit. Këta autorë thonë: “Tek gratë, gjëndra mbetet e papjekur, sepse gratë nuk kanë hormonet mashkullore që bëjnë të piqet prostata e burrave”.

Përse e kanë gratë këtë gjëndër? Përgjigja e kërkuesve shkencorë është: “Përveç kënaqësisë seksuale, akoma nuk ka asgjë të vërtetuar që të tregojë për funksionin e veçantë biologjik të vatrës “G”!

PYETJE - PËRGJIGJE

Jam 78 vjeç, a mund të përdor viagrën?

PYETJE:

Jam 78 vjeç, kam një fibrilacion atrial nën kontroll, ngaqë përdor corderon (5 t në javë + 1 t. kaspirinë). Parametrat e zemrës janë mirë. Tensioni arterial, më shumë i ulët, se normal. A mund ta përdor viagrën. Ju lutem më jepni një përgjigje.

PËRGJIGJE:

Pyetja jote është shumë e mirë dhe më jep rastin të flas edhe një herë, fare shkurt, për viagrën. Ka mbi dhjetë vjet që viagra ka dalë në treg dhe vlera e saj në kapërcimin e impotencës seksuale, është e mrekullueshme. Ajo përmirësoi kualitetin e jetës të shumë burrave dhe grave, veçanërisht të moshuarve, në të cilët impotenca shfaqet më shpesh.

Unë do të isha i kënaqur ta rekomandoja për ju përdorimin e viagrës, por jam i shtrënguar nga ato që thoni ju për gjendjen tuaj shëndetësore, t’u them, KUJDES!

Viagra është bar dhe, si çdo bar tjetër, ajo jepet me recetë doktori, pra duhet ta këshillojë mjeku i juaj përdorimin e saj.

Përpara se të përdorë viagrën, personi duhet t’i thotë doktorit në se ka pasur ndonjë atak në zemër, ndonjë goditje në tru, ose rrahje zemre të çrregullta kërcënuese për jetën, brenda gjashtë muajve të fundit. I sëmuri duhet t’i thotë mjekut, nëse vuan nga sëmundje të arterieve koronare; nëse ka pasur ndonjë angina pectoris; nëse ka presion të gjakut të lartë ose të ulët; nëse ka probleme nga mëlçia, nga veshkat, probleme me gjakun (anemi, leucemi, hemorragji); nëse ka ulcerë stomaku; retinitis pigmentoza në sy; deformim fizik të penisit (siç është sëmundja e Peyronie); nëse ka ndonjë sëmundje që mund të çojë në ereksione të gjata e të dhimbshme (siç janë tumoret e palcës së kockës, anemia sickle cell, ose leucemia); ose nëse përdor ndonjë bar tjetër për të mjekuar impotencën. Kush vuan nga këto kondita mjekësore, nuk mund të marrë viagra, ose duhet ta rregullojë dozën e saj me shumë kujdes. Personat mbi 65 vjeç, kanë më shumë shanse të provojnë efektet anësore të viagrës, prandaj tek të moshuarit doktori jep një dozë më të vogël.

Si të gjitha barnat, edhe përdorimi i viagrës ka disa efekte anësore. Këto janë: Dhimbje koke, skuqje në fytyrë, dhimbje në stomak. Prishet ndonjëherë perceptimi i ngjyrave, turbullohet pamja dhe të vret drita sytë. Ndonjëherë, burrat raportojnë ereksione që zgjatin mbi 4 orë, që po të mos mjekohen në mënyrë urgjente, shkaktojnë dëmtime permanente në penis.

Atakët në zemër, goditjet në tru, rrahjet e çrregullta të zemrës dhe vdekjet, janë shumë të rralla tek burrat që kanë përdorur viagrën. Shumica e këtyre burrave, por jo të gjithë, kanë pasur probleme të zemrës përpara se të përdornin viagrën. Nuk thuhet dot nëse këto evente janë direkt të lidhura me viagrën.

Kush merr mjekim me nitrate, rregullisht, ose kur u duhet si urgjencë, kurrë nuk duhet të përdoret viagra. Po qe se viagra merret bashkë me një nga këto barna, ose me ndonjë nga drogat që përmban nitrate, presioni i gjakut do të bjerë menjëherë në nivel të pasigurt dhe personit do t’i të bjerë të fikët, ose do të bëjë një atak në zemër, ose goditje në tru.

Ju vuani nga fibrilacioni atrial, keni tension të ulët të gjakut dhe jeni në moshë 78 vjeç. Unë, më sipër, i kam nënvizuar konditat e tua mjekësore. Këto janë kondita që nuk lejojnë të përdoret viagra. Unë do të këshilloja të shkosh tek mjeku që të kuron dhe ai do të vlerësojë me profesionalizëm gjendjen tënde dhe mundësinë e përdorimit të viagrës.

Në fund, dua të të them: Prekjet seksuale dhe sensuale me partneren, janë një mënyrë shumë e mirë për të vazhduar jetën seksuale, edhe kur nuk arrihet ereksioni. Për prekje sensuale dhe seksuale kemi nevojë të gjithë.

Të uroj shëndet dhe jetë të gjatë! Doktori

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›