E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet të mësohemi ta pranojmë veten ashtu siç jemi

Disa kanë kultivuar zakonin që të godasin çdo gjë të traditës shqiptare. Nuk jam dakord me ata që u veshin etiketa “armiqsh”, “spiunësh” e “tradhtarësh” këtyre. Jo. Për mua, ata janë njerëz qëndrojnë më lart se inteligjenca mesatare e popullatës dhe pikërisht për këtë arsye vuajnë. Edhe qëndrimet e tyre janë përpjekje për të barazpeshuar këtë frustim.

Pra, nuk është si ata (snobët antitradicionalë) që thonë se: Shkrimet e tyre janë kontribut për europianizimin e shoqërisë, mentalitetit të ngushtë shqiptar, etj.

Unë e kam bredhë Evropën, e njoh mirë fare. Aq mirë, sa jam vetë pjesë e këtij realiteti. Dhe mund të ta them me garanci të plotë që, asnjë popull i BE-së, në përgjithësi, nuk identifikohet si “popull evropian”. Patriotizmi dhe nacionalizmi janë gjallë, shëndoshë e mirë.

Një shqiptar mund të vijë në Britani 5 vjeç, të rritet e të shkollohet në këtë vend, të flasë vetëm gjuhën e këtij vendi, dhe, përsëri, të jesh i sigurt që ka për të qenë shqiptar, deri ditën që do të vdesë, do apo nuk do. Dhe, fëmija e tij, ka për të qenë fëmija i një shqiptari, do apo nuk do.

Kjo ndodh jo vetëm me një shqiptar, por me çdo evropian tjetër. Pra, nuk është ai as britanik, sepse jetoi atje gjithë jetën, nuk është as evropian, por është shqiptar, madje shpesh, shqiptar me etiketën e rrethanave që e kanë katapultuar atë në këtë vend (si etiketat; shqiptar emigrant, ose shqiptar azilkërkues).

Pavarësisht se nga televizionet e huaja që ndiqen në Shqipëri, nuk vjen ky mesazh, realiteti në terren ky është.

Duhet ta kuptojmë që, në radhë të parë, duhet të pranojmë veten me gjithë të këqijat, por edhe të krenohemi me gjithë të mirat, para se të kërkojmë t’i bëjmë vend vetes në një komunitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›