E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë shohim, debat apo sherr?

 Nga mëngjesi në mbrëmje, stacionet e ndryshme televizive, transmetojnë e ritransmetojnë spotet e tyre të përgatitura me shumë kujdes, që paralajmërojnë opinione, debate, të ditës, e të javës. Nga një emision në javë, i programuar më parë, u kalua në dy dhe, tani së fundi, televizionet kryesore i zhvillojnë ato katër herë në javë. Prezantime me emërtime të tilla si: “Opinion”, “Opinion plus”, Top story”, “Shqip”, “Faktori plus”, “Studio e hapur”, “Fakt”, “Fokus”, etj., etj., tashmë janë ulur këmbëkryq nëpër televizionet tona. Është mirë kështu, apo mos televizionet do të zhvleftësojnë veten në këtë mënyrë?

Të ftuarit, kryesisht janë politikanë, pozitë - opozitë, ndonjëherë zhvillohen panele edhe me analistë, ose dhe të përzierë; politikanë dhe analistë. Rrallë me akademikë, shkencëtarë, apo specialistë të fushave të ndryshme si: Të bujqësisë, industrisë, arsimit, kulturës, shkencës, sporteve, turizmit, historisë, arkeologjisë etj. Ndodh që edhe për probleme specifike, teknike, ku duhet të dëgjohet fjala e specialistëve, përsëri flasin politikanët, ose thirren “politikanët specialistë”.

Shpesh debatet janë interesante dhe përcjellin një opinion te plotë e të besueshëm, mesazhe pune e mirëkuptimi. Debate të tilla ngelen tek dëgjuesit e bëhen edhe objekt bisede të nesërmen, jo vetëm në mjedise kafeje të të papunëve të punësuar në shtet, që vrasin kohën me muhabetet pafund, por edhe tek të tjerë. Por, në debate nuk ndodh gjithmonë kështu. Në mjaft prej tyre mungon argumenti bindës dhe në vend të tij gjen me shumicë politizim të skajshëm, nervozizëm, zhurmë, fjalor rrugësh. Secila palë, natyrisht që do të mbrojë punën, programin, pozicionin e vet, por nuk mund të shikojnë problemet bardh e zi, të bardhë për vete dhe të zi për kundërshtarin, të mos njohin asnjë arritje, asgjë të mirë të tjetrit.

Politikanët e këtij formati, edhe pse janë të kostumuar e kollarisur me shumë kujdes nga gratë e tyre, në sytë e shikuesve, nuk janë gjë tjetër, veç kallinj pa kokrra. Njerëzit, me njohjen dhe perceptimet që kanë për problemin që debatohet, kanë natyrisht edhe mendimin e tyre të përgjithshëm, ndaj nuk mund t’i gënjesh e të flasësh “kodra pas bregut”, se, kur thotë një fjale, “Të vënë teneqenë”. As nuk mund të marrësh pozicionin e një rrugaçi, që nuk njeh etikë, rregull e normë në muhabet. Këtu, po kujtojmë fjalët e personazhit të një filmi shqiptar në takimin e përfaqësuesve të pushtetit me fshatarët, në vitet e para pas çlirimit, i cili, jo pa nervozizëm u drejtohet: “Ne pa shkollë jemi, por ju për budallenj na merrni?!” Po ne që nuk jemi as pashkollë dhe as budallenj, si duhet t’u drejtohemi politikanëve tanë? Me sa duket ne jemi lodhur e urtësuar shumë.

Njihet ndjeshmëria e shqiptarëve ndaj politikës, dhe kjo shpjegohet me shumë arsye. Pikërisht këtë ndjeshmëri kërkojnë të shfrytëzojnë drejtuesit e emisioneve, apo siç quhen tani moderatorët e debateve, të cilët për të bërë debatin më interesant, provokojnë politikanët e ftuar dhe nuk ndizet debati, po kërcet sherri në studio. Të gjithë flasin njëherësh të nervozuar, më zë të lartë deri në kupë të qiellit dhe, me gjithë përpjekjet e moderatorit, tashmë në rolin shuarës e jo nxitës, (ai ngelet me krahë hapur si polici i trafikut, duke bërë thirrje sa njërës palë, aq edhe tjetrës për qetësi), dhe kur nuk ja arrin qëllimit, thërret regjinë tëfutë reklamë.

Natyrisht, televizionet do të vazhdojnë të transmetojnëspotet e zhvillojnë debatet, se ato janë pjesë e rëndësishme e programit të tyre, por njerëzit janë duke ndryshuar, pak kanë ngelur militantë të thekur, ndaj duan përgjegjësi, seriozitet, progres, kulturë, duan debat e jo sherr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›